Sulmet në Kosovë/ Blinken: Të papranueshme, Kosovë-Serbi t’i kthehen dialogut

blinken 25
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka reaguar mbi sulmet terroriste në veri të Kosovës, pranë Manastirit të Banjskës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Blinken e konsideron sulmin të papranueshëm, ndërsa i bën më tej thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet që mund të nxisin tensionet. Po ashtu, Blinken u bën apel qeverive të Prishtinës dhe Beogradit që t’i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Sulmet e dhunshme të fundit ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës janë të papranueshme. I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet që mund të nxisin më tej tensionet dhe t’i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, shkruan Blinken në X.
Sulmi ndaj policisë në hyrje të fshatit Banjskë ndodhi mëngjesin e ditës së djeshme (24 shtator) nga persona të armatosur të cilët hapën zjarr e hodhën granata dore në drejtim të policisë së Kosovës. Polici Bunjaku humbi jetën, ndërsa mbeti i plagosur një efektiv tjetër.