Sulmet në veri/ DASH: Serbia dhe Kosova të përmbahen nga ngritja e tensioneve
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Methju Miller (Matthew Miller) ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në Manastirin e Banjskës.
Ai u ka bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet.
“Pra, së pari, ne dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme të koordinuara ndaj policisë së Kosovës. I shprehim ngushëllime të thella familjes së rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë kryerjes së detyrës. Autorët e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi përmes një procesi hetimor transparent dhe i bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet dhe të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të de-përshkallëzuar situatën, garantimin e sigurisë dhe sundimin e ligjit dhe kthimin në dialogun e lehtësuar nga BE”, ka deklaruar ai në një intervistë për Pavlovic Today.