Sulmet raketore ruse, Ukraina në zi! Zelenski: Do hakmerremi, presim hapa konkretë nga partnerët
Një ditë zie po mbahet në Ukrainë pas valës së sulmeve raketore ruse mbi disa qytete të vendit, duke u marrë jetën të paktën 41 personave dhe duke plagosur mbi 160 të tjerë.
Një prej vendeve që u goditën nga sulmet raketore ruse ishte dhe spitali i fëmijëve në Kiev. Pak pas sulmeve ruse, Ukraina reagoi duke paralajmëruar hakmarrje.
Presidenti Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelenskiy) gjatë një vizite në Varshavë gjatë së cilës nënshkroi një pakt sigurie me Poloninë, deklaroi se Ukraina do kundërpërgjigjet ndaj sulmeve.
Ndërsa liderët botërorë përgatiten për të shkuar në një samit të NATO-s që fillon të këtë të martë (9 korrik) në Uashington, Zelenski u bëri thirrje aleatëve të Kievit që t’i japin një përgjigje të vendosur sulmit të së hënës.
“Do të doja gjithashtu të dëgjoja nga partnerët tanë (për) një qëndrueshmëri më të madhe dhe një përgjigje të fortë ndaj goditjes që Rusia i ka dhënë edhe një herë popullit tonë, tokës tonë, fëmijëve tanë. Ne do të hakmerremi kundër këtyre njerëzve, do t’i japim një përgjigje të fuqishme nga ana jonë Rusisë, me siguri. Pyetja për partnerët tanë është: a mund të përgjigjen ata?“, deklaroi Zelenski.
Presidenti u shpreh se Kievi dëshironte të ishte në gjendje të përdorte armët e furnizuara nga partnerët e tij për të goditur vendet në Rusi nga ku po fillonin sulmet.
“Mendoj se do të donim vërtet të merrnim një vendim të tillë nga partnerët tanë. Ose ata do të donin të shihnin përsëri grevat”, u shpreh ai.
Zelenski tha se Ukraina ishte duke pritur për hapa konkretë nga partnerët e saj perëndimorë për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore dhe për të mbrojtur sektorin e saj të energjisë.
Ai tha se Kievi po iniconte një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me sulmin rus.