Sulmet ruse në Ukrainë – Të martën mblidhet Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të martën në një takim, për të diskutuar sulmet e dy ditëve të fundit në Ukrainë, të cilat lanë të vrarë së paku 36 persona. Takimi do të zhvillohet me kërkesë të Britanisë, Francës, Ekuadorit, Sllovenisë dhe SHBA-së.
“Ne do ta dënojmë sulmin frikacak të Rusisë në spital”, tha përfaqësuesja e përhershme e Mbretërisë së Bashkuar në Kombet e Bashkuara, Barbara Ëoodëard. Spitali i Fëmijëve Ohmatdyt, që është objekti më i madh i pediatrisë në Ukrainë, u sulmua të dielën vonë duke i marrë jetën disa personave. Duke e përshkruar objektin shëndetësor si një spitalet më të rëndësishme për fëmijë në Evropë dhe në Ukrainë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se Rusia e kishte sulmuar qëllimisht spitalin. “Rusia duhet të mbahet plotësisht përgjegjëse për të gjitha krimet e saj. Kundër njerëzve, kundër fëmijëve, kundër njerëzimit në përgjithësi”, tha Zelensky.
“Është shumë e rëndësishme që bota të mos heshtë për këtë tani dhe që të gjithë të shohin se çfarë është Rusia dhe çfarë po bën”, shtoi ai. Por, ministria ruse e mbrojtjes e hodhi poshtë një gjë të tillë, duke thënë se raketa e rënë në spital ishte e sistemit kundërajror ukrainas.