Sulmi i Berishës ndaj SPAK, reagon KLP: Kërcënime për integritetin e sistemit të drejtësisë
Duke i cilësuar si kërcënime për integritetin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dënuar reagimet më të fundit të Berishës ndaj SPAK dhe drejtuesit të tij Altin Dumani. Në qëndrimin e saj, KLP deklaron se dënon çdo formë presioni ose intimidimi ndaj Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe drejtuesve të tij.
KLP rithekson angazhimin e saj për të mbështetur prokurorët e vendit, të cilët përballen çdo ditë me sfida në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Më tej KLP i konsideron përpjekjet për të ndikuar ose frikësuar institucionet e drejtësisë si “sulme ndaj parimeve themelore të integritetit dhe drejtësisë,” thelbësore për zbatimin e ligjit në vend.
Duke përmendur kërkesat e Bashkimit Evropian për Shqipërinë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nënvizon rëndësinë e reformës në drejtësi dhe i bën thirrje medias të mbështesë me objektivitet veprimtarinë e institucioneve të pavarura.
Në përfundim të njoftimit thuhet se KLP shpreh përkushtimin për t’u pozicionuar në krah të prokurorëve, duke garantuar një proces drejtësie të pavarur dhe transparent.
Një ditë më parë teksa fliste para mbështetësve të tij, Berisha duke përdorur disa epitete fyese për Dumanin e akuzoi këtë të fundit si bashkëpunëtor të Edi Ramës për të luftuar opozitën.