Sulmi i Hamasit kundër Izraelit, Hasani: Qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka dënuar sulmin e Hamasit kundër Izraelit mëngjesin e kësaj të shtune (7 tetor). Në një postim në X, njohur më parë si Tuiter (Twitter), Hasani shkruan se Shqipëria qëndron e vendosur kundër terrorizmit.
“Shqipëria dënon ashpër sulmin e mëngjesit të sotëm nga Hamasi kundër Izraelit. Ne qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, shkruan ministri.
Edhe Ministria e Jashtme reagoi duke bërë me dije se fatmirësisht, nga sulmet nuk ka shqiptarë të plagosur, ndërsa u bëri thirrje që për çdo rast të komunikojnë me ambasadën shqiptare në Izrael.
Hamasi pretendon se ka lëshuar 5000 raketa kundër Izraelit në atë që e ka quajtur ‘Stuhia Al-Aksa’. Një numër i militantëve nga Gaza kanë hyrë gjithashtu në territorin izraelit, thanë Forcat Mbrojtëse të Izraelit, duke paralajmëruar izraelitët që jetojnë pranë Gazës të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Një grua ka vdekur dhe të paktën tre të tjerë janë plagosur.