Sulmi i Hamasit/ Shkon në mbi 1 mijë numri i viktimave në Izrael dhe Gaza
Teksa luftimet mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit po rriten, numri i viktimave dhe i personave të marrë peng, vijon të shtohet.
Të dielën (8 tetor), Izraeli i shpalli zyrtarisht luftë Hamasit pasi grupi militant islamik nisi sulmin e papritur vdekjeprurës të shtunën.
Më shumë se 700 persona janë vrarë në Izrael, dhe më shumë se 400 palestinezë janë vrarë, sipas autoriteteve. Rreth 2,300 të tjerë janë plagosur në Gaza, teksa ndërprerjet e energjisë elektrike nga Izraeli po kërcënojnë jetën e qindra të plagosurve dhe pacientëve.
Midis viktimave janë të paktën 260 persona, trupat e të cilëve u gjetën në vendin e një festivali muzikor izraelit, sipas ekipeve të shpëtimit. Persona të armatosur të Hamasit qëlluan mbi të pranishmit që po largoheshin dhe morën peng të tjerë gjatë ngjarjes të shtunën pranë kufirit Izrael-Gaza.
Hamasi po mban peng më shumë se 100 izraelitë në Gaza, duke përfshirë oficerë të lartë të ushtrisë. Përveç robërve izraelitë, ka edhe kombësi të tjera që besohet se janë marrë peng, duke përfshirë shtetas meksikanë dhe brazilianë, duke e komplikuar përgjigjen e Izraelit ndaj sulmit të Hamasit.
Hamasi pretendoi të dielën se forcat e tyre janë ende të pranishme dhe po kryejnë operacione në Mavki’im në jug të Izraelit, në veri të Gazës. Hamasi tha gjithashtu se kishte nisur një sulm të madh raketor në qytetin bregdetar jugor të Ashkelon, afër kufirit me Gazën.
SHBA po dërgon një grup sulmues të marinës në Detin Mesdhe lindor, duke përfshirë shkatërruesit e raketave të drejtuara dhe kryqëzuesit me raketa të drejtuara. SHBA po pozicionon gjithashtu më shumë avionë luftarakë në Lindjen e Mesme, si një pengesë për Hezbollahun në Liban dhe grupe të tjera militante të rreshtuara kundër Izraelit, thonë zyrtarët. Në përgjigje, Hamasi akuzoi SHBA-në për pjesëmarrje në “agresion kundër popullit palestinez”.
Ligjvënësit amerikanë dhe zyrtarët e administratës Bajden diskutuan rritjen e mbështetjes për Izraelin në një konferencë me udhëheqjen e Dhomës së Përfaqësuesve të dielën mbrëma.
Zyrtarë të lartë nga Departamenti i Shtetit dhe i Mbrojtjes u thanë ligjvënësve se po lëvizin sa më shpejt që të munden për të dorëzuar armë në Izrael si pjesë e kontratave tashmë ekzistuese.