Sulmi ndaj KFOR më 2023, Policia e Kosovës arreston një prej autorëve
Policia e Kosovës ka arritur të vërë në pranga një prej autorëve të dyshuar për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, ngjarje kjo e ndodhur në maj të vitit 2023 në Zveçan.
Lajmi është bërë me dije nga zv.drejtori i Policisë së Kosovës Veton Elshani për RTK, i cili sqaroi se autori ishte në kërkim.
“Sonte rreth orës 19.15 në pikën e kontrollit në Bistricë është ndaluar një person me inicialet L.D. që ishte në kërkim në lidhje me rastin e 29 Majit 2023 ku ishin lënduar 93 zyrtar të KFOR-it.
I njëjti është duke u intervistuar në Mitrovicë në Stacionin policor në Jug. Ai po intervistohet nga ana e hetuesve të krimeve të rënda në Prishtinë dhe pas intervistimit do të vendoset për hapat e mëtejme”, ka thënë ai.
Kujtojmë se 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan në maj të 2023.
Ngjarja erdhi pas zgjedhjes së kryetarëve të rinj të katër komunave në veri të Kosovës, zgjedhje këto të cilat u shoqëruan me protesta nga ana e serbëve lokalë.
Kosova i drejtoi gishtin e fajit Serbisë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se u kryen nga grupe kriminale të afërta me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Ky i fundit ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Kryeministri Albin Kurti shtyu serbët drejt konfliktit me NATO-n.