Sulmi në Banjskë/ Aksion në Mitrovicë për kapjen e të dyshuarit, Milan Radojiçiq
Policia e Kosovës ndërmori herët në mëngjes një aksion me përforcime të shtuara në pjesën veriore të Mitrovicës në kërkim të Milan Radojiçiqit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se ka dokumente që dëshmojnë se nënkryetari i partisë Lista Serbe është i përfshirë drejtpërdrejt në sulmin e së dielës ku u vra polici Afrim Bunjaku. Radojiçiqi dyshohet se është plagosur edhe vetë nga shkëmbimet e zjarrit.
Të premten, mediet lokale publikuan foto të autoblindave përballë objektit të banimit të të shumëkërkuarit dhe të forcave speciale në hyrje të rrugës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se Radojiçiqi ndodhet në Serbi.
“Nga deklarata e Vuçiqit nuk është e qartë nëse Milan Radojiçiqi do të dëgjohet si qytetar dhe kjo ndodh kur personi ka dijeni për një vepër penale, por nuk ka statusin e të dyshuarit. Një mundësi tjetër është që ai të dëgjohet si i dyshuar dhe nëse ka një mbrojtës, atëherë deklarata e tij ka karakter provash dhe në të mund të bazohet aktgjykimi i gjykatës. Nuk e dimë se në çfarë statusi do të thirret dhe do të merret në pyetje në polici dhe në prokurori,” tha një ditë më parë prokurori Goran Iliq.
Milan Radojiçiqi ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe dhe dyshohet për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Në dhjetor të vitit 2021, SHBA futi në listën e sanksioneve Radojiçiqin, Zvonko Veselinoviqin, vëllain e tij, Zharkon, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.