Sulmi në Banjskë/ Disa bastisje në Kosovë zbulojnë depon me armatime në Mitrovicën Veriore

armet Mitrovice
Autoritetet në Kosovë zbuluan në fundjavë armë dhe municione ushtarake në disa nga zonat veriore të vendit, edhe në Banjskë, ku sulmi i 24 shtatorit la të vrarë dëshmorin Afrim Bunjaku dhe tre shtetas të përkatësisë serbe.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës (PK) njoftuan se me urdhër të gjykatës, zhvilluan kontrolle në shtatë lokacione në veri, të cilat lidhen me ngjarjet e fundshtatorit.
Kontrollet u kryen në Mitrovicën e Veriut, në Zveçan dhe në Banjskë.
Në një bodrum u gjetën një sasi municioni, kallashnikovë, eksplozivë dhe armatime të tjera.
Pjesëmarrës në këto kontrolle ishin edhe zyrtarë të jashtëm nga EULEX-i dhe KFOR-i.
Lista e armëve dhe pajisjeve tjera të sekuestruara:
- 87 copë eksploziv të tipit TM 100
- 3 granatahedhës dore (zola)
- 1 armë automatike AK-47
- 1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD
- 14 karikatorë
- Municion të kalibrave të ndryshëm
- 63 detonatorë elektrikë
- 23 detonatorë mekanikë
- 1 orë për aktivizim
- 1 granatë dore M79
- 3 tuba fitila ndezës
- Çanta, radiolidhje, antiplumba, pajisje medicinale, grykësore (jelek për bartje të karikatorëve), maskë kundër gazit, bateri etj.