Sulmi në Banjskë, Presidenti kroat: Vuçiq të japë llogari. Sanksionet ndaj Serbisë s’do jepnin rezultat
Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq ka deklaruar se kreu i shtetit serb Aleksandër Vuçiq duhet të japë llogari për sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Kosovës.
Duke folur në konferencën e përbashkët për mediat me presidentin Bajram Begaj, Milanoviq theksoi se pavarësisht se Vuçiq duhet të përgjigjet për atë që ka ndodhur sanksionet ndaj Serbisë nuk do të rezultonin efikase.
“Vuçiq nuk është përgjigjur për kërkesën që kemi bërë për hetimin mbi sulmet e 24 shtatorit. Sanksionet ndaj Serbisë dhe ndaj vetë qytetarëve të Serbisë në tërësi nuk sjellin asgjë. Nuk ka sanksione që do të ishin frytdhënëse që ndoshta mund të sillnin ndryshimin e pushtetit, ato sanksione i ndihmojnë ata që janë në pushtet për të vijuar atë që bëjnë”, u shpreh Milanoviq.
Ai deklaroi më tej se ashtu si në rastin e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë edhe në rastin e Serbisë, sanksionet do të ishin një fiasko e madhe.
“Ashtu siç kam thënë për Ukrainën që sanksionet janë një fiasko, e njëjta gjë vlen edhe për Serbinë. Ajo që duhet të bëjmë është që duhet të presim. Besoj se ai duhet të jetë në presion të bashkëbiseduesve legjitimë, pra Vuçici duhet të na japë përgjigje për gjërat që shohim dhe janë të qarta”, nënvizoi Milanoviq.