Sulmi në veri të Kosovës, ambasadori i SHBA-ve: Grupi i armatosur ishte i trajnuar dhe i organizuar
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Xhef Hovenier (Jeff Hovenier), ka deklaruar se grupi i armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës më datë 24 shtator, ishte i trajnuar. Në një deklaratë për mediat, teksa pranoi se ka ende detaje nuk përbëhej nga qytetarë që u mblodhën spontanisht “për të shprehur shqetësimet e tyre”.
Sipas tij, ata ishin të trajnuar dhe të mirëorganizuar, gjë që nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture.
“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të zbardhet dhe ata të mbahen përgjegjës”, tha Hovenier.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe armatosur, ku për pasojë humbi jetën polici Afrim Bunjaku dhe disa të tjerë u plagosën. Sipas autoriteteve të Kosovës, 4 sulmues humbën jetën, ndërsa gjashtë persona janë arrestuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi Beogradin zyrtar si organizatorë të sulmit, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, të revoltuar nga qeverisja.