Sulmi në veri të Kosovës dhe siguria kombëtare, kreu i LDK-së dhe i PAA-së takojnë presidenten Osmani
Krerët e partive opozitare të Kosovës, kanë zhvilluar të mërkurën në mesditë një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, pas ngjarjes së rëndë që lidhet me sulmin e armatosur ndaj Policisë, në Banjskë më 24 shtator.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit, informoi mediat nëpërmjet një postimi në Facebook, se në takimin me presidenten është marrë informacion për gjendjen e sigurisë në Kosovë pas sulmit ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku dhe tre sulmues të dyshuar.
“Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia, si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve”, shkroi Abdixhiku.
Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit, deklaroi për mediat se është e rëndësishme që të ketë bashkëbisedim në situata të tilla të sigurisë “për shkak se rreziku për sigurinë vazhdon edhe më tutje”.
Ai tha se për ngjarjet e 24 shtatorit duhet të ketë një hetim ndërkombëtar, pasi, sipas tij, ky rast është akt i “pastër terrorizmi”, duke fajësuar Serbinë se qëndron prapa tij.
“Serbia nuk e fsheh faktin se është sponsorizuese, trajnuese dhe i ka dhënë udhëzime këtij grupi terrorist. Me qenë se është kështu, është mjaft me interes të Amerikës dhe BE-së të zhvillohet një hetim dhe të vërtetohet që Serbia është prapa këtij sulmi –edhe pse shihet e dihet botërisht – por, të hetohet nga hetuesit ndërkombëtarë, me mundësi edhe të një gjykate, ashtu siç ka ndodhur me Kosovën të ndodhë edhe për Serbinë, të gjykohen ata që po e rrezikojnë rajonin me vepra terroriste”, tha ai.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, do të takohet më vonë gjatë ditës me presidenten Osmani.