Sulmi nga Hamasi/ Shqiptari që jeton në Izrael: Fatmirësisht s’ka bashkëkombës të lënduar
Sami Solomoni, shqiptar që jeton në Izrael, ka treguar detaje nga situata në Izrael, pas sulmeve nga Hamasi. Në një lidhje me Skajp (Skype) për emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH, Solomoni dha lajmin e mirë se momentalisht nuk ka shqiptarë të lënduar nga sulmet.
Megjithatë, ai theksoi se gjendja shpirtërore është shumë e rëndë, për shkak të përballjes çdo ditë me tmerret e shkaktuar nga lufta.
“Banoj në zonën e veriut të Izraelit, lufta bëhet në jug të vendit dhe tani ndihemi të sigurt, por duke parë lajmet për masakrat e bëra, gjendja shpirtërore është shumë e rëndë. Shqiptarët që janë në Izrael nuk jetojnë në pjesën jugore ku ndodh ky barbarizëm dhe për fat të mirë nuk ka as të prekur dhe as të lënduar. Nuk kemi frikë sepse shteti ynë është i organizuar dhe do t’i tregojë vendin terrorizmit”, u shpreh ai.
Në lidhje me sigurinë, Solomoni tha se banesat janë të pajisura me vendstrehime të miratuara nga shteti.
“Në shtëpi unë kam një dhomë të posaçme që është vendstrehimi që është e siguruar dhe e miratuar nga shteti si dhomë sigurie dhe kështu janë të gjitha shtëpitë e ndërtuara, ndërsa në zonat ku nuk janë, ka zona sigurimi për popullsinë”, deklaroi ai.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme sot (10 tetor) se 11 shtetas shqiptarë që jetojnë në Izrael kanë fluturuar drejt Shqipërisë. Evakuimi u organizua në orët e para të mëngjesit nga Mali i Zi.