Parlamenti Evropian ka hartuar projekt-rezolutën për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për sulmin terrorist në fshatin Banjskë, që pritet të prezantohet në seancën e së enjtes, më 19 tetor.
Rezoluta e cila është iniciuar grupi politik i socialdemokratëve në Parlamentin Evropian e konsideron situatën në Kosovë si “jashtëzakonisht shqetësuese”.
Në rezolutë kërkohet edhe sanksionimi i Serbisë, si dhe ekstradimi i Radojiçiqit. Gjithashtu, projekt-rezoluta dënon ashpër sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës, i cili ndodhi më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshterit i policisë Afrim Bunjaku dhe dy efektivë të tjerë mbetën të plagosur.
Nëpërmjet kësaj rezolute, të gjitha vendet anëtare të BE-së janë ftuar të dënojnë sulmin në veri nëse nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri më tani.
“Të gjitha palët ftohen për qetësim të situatës në veri të Kosovës dhe të shmangin çdo retorikë apo veprim që do të çonte në rritje të mëtejshme të tensioneve. Gjithashtu kërkohet që të vërtetohen të gjitha faktet për sulmin dhe një monitorim i kujdesshëm i hetimeve nga autoritetet kosovare.
BE-së i kërkohet të mbështesë hetimin nga autoritetet e Kosovës, duke përfshirë mbështetjen nga EULEX-i. Autorët përgjegjës për këto sulme duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë. Autoriteteve të Kosovës u kërkohet të zbulojnë të gjitha provat në lidhje me incidentin dhe që institucionet ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë EULEX-in, t’i vlerësojnë këto dëshmi.
Pritet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me këtë hetim dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin dhe që aktualisht ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë ekstradimin e tyre në Kosovë”, thuhet në Rezolutë.
Autoriteteve të Kosovës u kërkohet gjithashtu që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të parandaluar kontrabandën e armëve në vend, e cila bëhet përmes ambulancave dhe objekteve kishtare të Kishës Ortodokse Serbe në veri të Kosovës.
Tutje në Projekt-Rezolutë theksohet rëndësia e vendosjes së përgjegjësisë së Serbisë në sulmin e 24 shtatorit dhe nevoja për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë, në përputhje me masat ndaj Kosovës. Ftohen BE-ja dhe anëtarët e saj të përgatisin sanksione kundër organizatorëve, financuesve dhe autorëve të sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, bazuar në gjetjet e hetimit.
Gjithashtu, BE-së i kërkohet të vendosë masa kufizuese ndaj lidershipit serb, nëse konfirmohet pjesëmarrja e tyre në sulmin në Banjska ose cilido nga veprimet apo qëndrimet e lartpërmendura të dënuara, përfshirë mosgatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht në hetimin e këtij rasti.
Këshillit të Evropës i kërkohet të miratojë masa kufizuese të synuara, duke përfshirë, por pa u kufizuar në ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit, kundër aktorëve destabilizues në veri të Kosovës dhe udhëheqësve të rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, Këshilli ftohet të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe të vendosë sanksione kundër Milan Radojiçiqit.
“Rezoluta dënon ashpër praninë e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, por mirëpret tërheqjen e disa trupave serbe nga kufiri i Kosovës dhe i bën thirrje Serbisë që të përmbahet nga përsëritja e situatave të tilla në të ardhmen. Serbisë i kërkohet të bëjë më shumë për të de-përshkallëzuar tensionet e shkaktuara nga prania e saj ushtarake. Në këtë drejtim, Serbisë i kërkohet të tërheqë të gjitha bazat ushtarake të vendosura afër kufirit me Kosovën dhe pajisjet, duke përfshirë sistemet kundërajrore dhe njësitë e artilerisë së rëndë, të përmbahet nga çdo vendosje joproporcionale ushtarake në rajon në të ardhmen dhe të ndërpresë çdo mbështetje për formacionet ilegale terroriste në veri të Kosovës”, thuhet tutje në Projekt-Rezolutë.
Më tej theksohet se një sjellje e tillë agresive ushtarake, së bashku me mesazhet politike të radikalizuara në Serbi dhe indikacionet e forta të përfshirjes së shtetit serb në dhunën e fundit në sferën politike në veri të Kosovës, tregojnë për një politikë shumë të rrezikshme por koherente të Qeverisë së Serbisë ndaj Kosovës dhe partnerëve të saj perëndimorë.
Po ashtu dënohen ashpër sulmet e dhunshme në maj 2023 kundër ushtarëve të KFOR-it, policëve të Kosovës dhe gazetarëve. Ftohen autoritetet kompetente që të nxjerrin para drejtësisë të gjithë autorët përgjegjës të këtyre sulmeve.
Rezoluta i bën thirrje KFOR-it të krijojë një plan për veriun e Kosovës në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm. Mirëpritet vendosja e 200 trupave britanike në Kosovë për të përforcuar KFOR-in dhe ftohen të gjitha shtetet anëtare të BE-së të dërgojnë trupa shtesë pa vonesa të mëtejshme. Rezuluta mirëpret vendimin e NATO-s për të pajisur KFOR-in me armë më të rënda në mënyrë që të ketë një aftësi më të madhe luftarake. NATO-s i kërkohet të sigurojë që KFOR-i të ketë kapacitet adekuat për monitorim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme të gjithë veriut të Kosovës për të siguruar që çdo inkursion paraushtarak ose sulm, veprim ose tentativë për rrëmbim të policëve të Kosovës mund të zbulohet menjëherë. BE dhe shteteve të saj anëtare nxiten që të rrisin më tej njësitë e EULEX-it në terren, veçanërisht në veri të Kosovës dhe, nëse është e nevojshme, të forcojnë përkohësisht rolin e saj në përgjigje të sfidave të sigurisë në veri të Kosovës.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim Ambasadorin e BE në Shqipëri,…
Tirana zyrtare ka shprehur shqetësim serioz lidhur me fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginën…
Katër efektivë të “Shqiponjave”, në policinë e Shkodrës, janë rikthyer në liri pasi u arrestuan…
Dy ndër 10 fëmijë në shkollat e Shkodrës kanë raportuar se bullizohen. Shifrat e studimit…
Shkodra me Fakultet të Shkencave Mjekësore Teknike, analiza e regjitrimeve në të 3 ciklet e…
Dita e Alfabetit është përkujtuar sot nga myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari. Gjatë hytbes…
This website uses cookies.