Sulmohet aleati i Navalit, Leonid Volkov zotohet të vazhdojë luftën kundër Putin
Leonid Volkov, ndihmës prej një kohë të gjatë i liderit të ndjerë të opozitës ruse, Alexi Navalni (Alexei Navalny), është zotuar të vazhdojë luftën kundër presidentit rus Vladimir Putin pasi u sulmua me një çekiç jashtë shtëpisë së tij në Lituani.
“Ne do të punojmë dhe nuk do të dorëzohemi,” tha ai në një videoklip të postuar, duke pretenduar se sulmi që e la atë me një krah të thyer ishte një “përshëndetje karakteristike bandite” nga pasardhësit e Putinit.
Volkov, 43 vjeç, u shtrua në spital për pak kohë pas sulmit, gjë që shkaktoi zemërim nga qeveria lituaneze.
“Burri më sulmoi në oborr, më goditi në këmbë rreth 15 herë. Këmba disi është në rregull. Më dhemb të ecësh… Megjithatë, e theva krahun. Ata me të vërtetë donin të bënin një schnitzel nga unë”, tha Volkov.
Volkov është një nga figurat më të shquara të opozitës ruse dhe ishte një i besuar i ngushtë i Navalnit, duke punuar si shef i shtabit të liderit të ndjerë dhe si kryetar i Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit deri në vitin 2023.
Sulmi vjen pothuajse një muaj pas vdekjes së papritur të Navalnit në një burg të Arktikut , për të cilin Volkov dhe e veja e Navalnit, Yulia fajësuan drejtpërdrejt presidentin rus.
Një ditë para se të sulmohej, Volkov shkroi në rrjetet sociale: “Putini vrau Navalny. Dhe shumë të tjera para kësaj”, duke i bërë jehonë pretendimeve të ngjashme të bëra nga aleatët e Navalnit , si dhe presidenti amerikan Xho Bajden (Joe Biden).