Sulmuesi Abdu nuk e kalon provën, 26- vjeçari nuk ka bindur stafin teknik të Vllaznisë
Mesa duket, sulmuesit Balaj akoma nuk i është gjetur partneri i duhur në repartin e sulmit.
Sulmuesi afrikan i ardhur pak kohë më parë në provë të Vllaznia Lumala Abdu nuk e ka kaluar provën e stafit teknik.
Ai është aktivizuar në miqësoret e luajtura në Bosnjë nga trajneri Brdariç, por duket se nuk ka dhënë që stafi shkodran priste.
Abdu, 26 vjeç, më parë kishte luajtur në Suedi me skuadra si Kalmari dhe Helsingborgu. Kishte pasur edhe një përvojë të shkurtër në Egjipt me Piramides dhe në Kroaci me Sllaven Koprivnica.
Mesohet se stafi teknik me në krye trajnerin Tomas Brdariç e ka dhënë verdiktin për këtë futbollist, që duhet të kthehet ndaj nga kishte ardhur, kështu që nuk ka udhëtuar me skuadrën nga Bosnja drejt Shkodrës.
Kuqeblutë fuqizuan fillimisht mesfushën me emra si, Amir Kahrimanoviç, i spikatur tek Erzeni dhe që ka zënë vend në formacion, Ardit Deliu që njihet nga të gjithë për kualitetin që ka, dhe Klinti Qaton.
Më pas u bënë përforcime në mbrojtje, ku u afruan ish kapiteni Erdenis Gurishta dhe Melos Bajrami. Që të gjithë këta lojtarë kanë qenë pjesë e formacionit në miqësoret e luajtura në Bosnjë. Tashmë, drejtuesve të klubit kuqeblu u del për detyrë të bëjnë të paktën edhe një përforcim të rëndësishëm për sulmin.
Kujtojme që Vllaznia do të luajë ndeshjen e parë për Confernce Leage, më datë 11 korrik me Valur, ndërsa pas një jave do të bëhet ndeshja e kthimit në Shkodër.