Sunak tregon datën, Britania e Madhe mban më 4 korrik zgjedhjet e parakohshme
Kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak ka bërë të ditur datën e zgjedhjeve të përgjithshme të cilat do të mbahen më 4 korrik të këtij viti. Datën e zgjedhjeve të përgjithshme, Sunak e bëri gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar pasditen e sotme.
Kjo lëvizje e kryeministrit britanik vjen pasi konservatorët pasojnë laburistët me 20 pikë në sondazhe dhe përballen të bien nga pushteti pas 14 vitesh dominim në qeveri.
Sipas mediave britanike, Sunak është duke luajtur me fatin e tij politik, vetëm nëse përmirësimi i perspektivës ekonomike do t’i jepte atij një shans për të fituar.
Më herët gjatë ditës së sotme, lideri konservator deklaroi se inflacioni ishte “rikthyer në normalitet” pas shifrave zyrtare që tregojnë se inflacioni u ngadalësua në 2.3% në prill.
Ai ka thënë prej muajsh se zgjedhjet do të mbaheshin në “gjysmën e dytë të vitit”, por nuk kishte pranuar të caktonte një datë për mbajtjen e tyre.
Më herët, Sekretari i Jashtëm britanik në detyrë, David Cameron i cili ishte i pranishëm sot në Tiranë ndërpreu vizitën e tij në mënyrë të papritur pas mbledhjes urgjente të kërkuar nga kryeministri Rishi Sunak teksa vendi shkon në 4 korrik drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Gjithashtu edhe Sekretari i Mbrojtjes Grant Shapps ka shtyrë fluturimin e tij për të marrë pjesë në një takim të Aleancës së Atlantikut të Veriut në shtetet baltike.