“Sundimi i ligjit”, tentoi të vriste një person, arrestohet 35-vjeçari nga Vau-Dejës
Në vijim të kontrolleve dhe punës së inteligjencës policore që kryhen në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës, ndaloi shtetasin Vitor Kola 35 vjeç, banues në fshatin Karmë, Vau i Dejës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.Më datë 25.04.2024, në Vaun e Dejës, shtetasi Vitor Kola dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë shtetasin Gjekë Nika 39 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ky shtetas. Nga të shtënat pati vetëm dëme materiale.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, njofton policia.