“Super e Marta” e presidencialeve, votohet në 16 shtete për të zgjedhur kandidatin demokrat dhe republikan
Votuesit amerikanë në 15 shtete dhe në Samoan Amerikane u drejtohen të martën kutive për të zgjedhur kandidatin zyrtar të partisë së tyre për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
5 marsi, i njohur edhe si “Super e Marta”, është një ditë vendimtare në zgjedhjet paraprake, pasi zgjidhet kandidati demokrat dhe ai republikan. Kjo ditë bashkon 15 gara paraprake për republikanët dhe 16 për demokratët të shpërndara në të gjithë vendin.
Dhjetëra miliona amerikanë pritet të zgjedhin kandidatin e tyre në Alabama, Alaska, Arkansas, Kaliforni, Kolorado, Mein, Masaçusets, Minesota, Karolinë e Veriut, Oklahoma, Tenesi, Teksas, Jutah, Vermont, Virxhinia dhe Samoa.
Tramp do të duhet të fitojë 1215 nga 2429 delegatë, ndërsa presidentit Bajden i duhen 1968 nga 3934 delegatë për t’u shpallur zyrtarisht kandidatë nga partitë respektive.
Zgjedhjet e 5 marsit mund të jenë mundësia e fundit për ish-ambasadoren amerikane në OKB, Niki Helej për të sfiduar Tramp në garën e republikanëve. Me përjashtim të zgjedhjeve të brendshme partiake të mbajtura të dielën në Uashington, të cilat u fituan prej saj, ish-presidenti Trump i ka fituar të gjitha garat e tjera të zhvilluara deri tani.
Për demokratët, zgjedhjet e brendshme partiake nuk paraqesin asnjë surprizë, pasi presidenti aktual Xho Bajden do të jetë padyshim sërish kandidati i partisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Votimi në 16 shumë shtete të SHBA-së në të njëjtën kohë është një mundësi për kandidatët që të dëshmojnë se mund ose nuk munden të mobilizojnë votues të profileve të ndryshme.