Superiore: Java e 21-të e kampionatit luhet të dielën dhe të hënën
Pas ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë që u luajtën në mesjavë, rikthehet kampionati “Abissnet Superiore”, me takimet e javës së 21-të që do të luhen të ndara në dy ditë, të dielën dhe të hënën.
Ndeshja hapëse e kësaj jave është Laçi – Teuta, një takim që do të luhet të dielën në stadiumin e Laçit duke nisur prej ores 13:30. Në po të njëjtën ditë do të luhen edhe dy ndeshje të tjera, Vllaznia – Partizani e Tirana – Skënderbeu.
Të kuqtë e drejtuar nga Orges Shehi do të udhëtojnë drejt Shkodrës për t’u përballur me Vllazninë, me sfidën që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” në ora 17:00. Sakaq, në po të njëjtën orë e ditë do të luhet edhe sfida Tirana – Skënderbeu.
Të hënën do të luhen edhe dy ndeshjet e tjera të javës së 21-të. Takimi i parë i ditës së hënë do të jetë Egnatia – Erzeni, që do të zhvillohet në stadiumin e Rrogozhinës, “Egnatia Arena”, prej orës 13:30.
Ndeshja mbyllëse e kësaj jave është ajo mes Dinamo City – Kukësi, që do të luhet në stadiumin “Niko Dovana”, duke nisur nga ora 17:00.