Superiore java e 4-të, nesër Laçi-Vllaznia/ Trajneri Memelli, kërkon 3 pikë në transfertën kurbinase
E nisur të dielën me ndeshjen, Erzeni-Dinamo e mbyllur me fitoren 2-1 të shijakasve, java e katërt e kategorisë Superiore vijon sot edhe me dy ndeshje të tjera dhe mbyllet nesër me dy duelet e fundit, atë Laçi-Vllaznia dhe Teuta-Skënderbeu. Në kampin kuqeblu duket se janë gati për sfidën e transfertës kurbinase, gjë të cilën e shprehu në konferencën e shtypit dhënë sot në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi” trajneri Migen Memelli.Memelli shprehet i kënaqur për tre javët e para të kampionatit, ndërkohë që kërkon dhe beson që edhe në transfertën e nesërme me Laçin të marrë tre pikët e plota.Ndër të tjera, Memelli paralajmëroi që në sfidën e nesërme mungon qëndërmbrojtësi Marko Juriç, i cili pritet të zëvendësohet nga një 20 vjeçar, mes Spahisë dhe Pusit.Ndeshja, Laçi-Vllaznia, e vlefshme për javën e katërt të Superiores, luhet nesër në orën 16:00.