Superiore – Përsëri Egnatia-Vllaznia, prova e parë e Brdariç për kthesën e Vllaznisë
Nga Egnatia e mesjavës për gjysëmëfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë tek Egnatia kësaj të dielE për Kampionatit Kombëtar të Superiores. Ky është verdikti i kalendarit të javës së 33-të të Abissnet Superiore. Por, nga e mërkura në të dielë në kampin kuqeblu ka ndryshime. Pas ndërprerjes së bashkëpunimit me teknikun e mëparshëm Qatip Osmani, tashmë në krye të Vllaznisë është Thomas Brdariç, kroato-gjermani që mori zyrtarisht detyrën pasditen e së premtes. Një aventurë kjo e guximshme që në këto pak javë të mbetura të kampionatit të premtojë shpalljen e Vllazninë kampione. Kështu, të paktën është shprehur vetë tekniku Brdariç, por për të shkuar deri tek ai objektiv ka jo pak punë. Provën e parë e ka të dielën në transfertën rrogozhinase përballë skuadrës kryesuese të kampionatit dhe finalistes së Kupës së Shqipërisë, “biletë” të cilën e mori duke eleminuar Vllazninë katër ditë më parë në “Loro Boriçi”. Për të përgatitur këtë ndeshje, Brdariç ka pasur dy seanca stërvitore në dispozicion, atë të pasdites së premte si dhe paradites së shtunë. Dy seanca që i kanë shërbyer për të projektuar formacionin anti-Egnatia, ku pozitive për teknikun e ri në këtë provë të parë është rikthimi në formacion i dyshes së prapavijës, Ersin Hakaj në të majtë dhe Millosh Stojanoviç në qëndër. Dy titullarë me shumë peshë, sidomos Hakaj që krahas prapavijës jep kontributin e tij me depërtimet klasike drejt zonës kundërshtare. Gjithësesi, me interes pritet sesi do ta rreshtojë skuadrën trajneri i ri, sidomos repartin e sulmit, aty ku Vllaznia ka nevojë më tepër se asnjëherë tjetër për të goditur portën kundërshtare në kërkim të golit dhe të fitores tre pikëshe, e cila është në objektivin kryesor të Vllaznisë për këtë ndeshje. Krahas orës 15:00 të sfidës së Rrogozhinës që përballë vendin e parë dhe të dytë, Egnatia-Vllaznia, java e 33-të rezervon edhe derbin e kryeqytetit, Tirana – Partizani, që luhet po të dielën në orën 19:00, në “Air Albania”.