Superiore, prag Vllaznia-Skëndërbeu / Trajneri Luan Zmijani, optimist për fitoren e radhës kuqeblu
Vllaznia-Skënderbeu, është një nga ndeshjet e javës së 18-të të Abissnet Supeëriore që luhet të premten në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës duke nisur nga ora 17:00. Në prononcimin e dhënë për RTSH Shkodra, ish futbollisti i njohur kuqeblu, sot trajner moshash në klubin Vllaznia, Luan Zmijani beson se fitorja e fundit me Tiranën i ka dhënë moralin e duhur kuqebluve për ta mbyllur vitin 2023 me fitore.
Por, për trajnerin Luan Zmijani, Vllaznia ka një problem jo të vogël në këtë pragndeshje. Bëhet fjalë për mungesat e dy titullarëve të prapavijës, Hakaj dhe Smajli, që të dy për shkak të kartonëve, Hakaj me të kuqe në përballjen me Tiranën dhe Smajli me katër të verdhë.
Një e veçantë për trajnerin Zmijani në këtë ndeshje është se në majën e sulmit korçar do të jetë i riu i talentuar shkodran, Ardit Nikaj, futbollist që e ka trajnuar tek Vllaznia U-19.
Në pritje të përballjes të së premtes me Skënderbeun, tekniku kuqeblu, Qatip Osmani, ka në dispozicion edhe një seancë tjetër stërvitore, atë të së enjtes, ku do të vendosë përfundimisht për emrat e formacionit të parë.