Superiorja luhet në tre ditë/Vllaznia luan në transfertë me Partizanin të hënën
Nuk ka pushim për kategorinë Superiore të futbollit shqiptar, pasi nga mesjava e ndeshjeve të javës së 11-të, nis menjëherë garën për javën e 12-të, ndeshjet e së cilës startojnë të shtunën dhe përfundojnë të hënën. Për shkak të motit të keq që është parashikuar në fundjavë në vendin tonë, Departamenti i Garave në FSHF do të ketë një ndryshim në oraret e ndeshjeve. Sipas këtij vendimi, të gjitha ndeshjet që janë programuar për t’u luajtur në orën14:00 në kampionatet “Abissnet Superiore”, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë, do të nisin 30 minuta më herët. Që do të thotë se në kategorinë Superiore, ky vendim prek vetem çiftin Kukësi-Dinamo, që nga ora 14:00 e planifikuar më herët, ndeshja do të nis në orën 13:30. Ndërkohë, që të gjitha ndeshjet e tjera të kategorisë Superiore që janë planifikuar në oraret që luhet me drita, mes të cilave edhe ajo, Partizani-Vllaznia që ishte caktuar ora 18:00 e së hënës së ardhshme, qëndrojnë në fuqi. Sipas kalendarit, takimi i parë i kësaj jave është ai Erzeni-Egnatia, që luhet të shtunën në orën 17:00, për të vijuar me dy përballjet e orës 17:00 të ditës së dielë, Skënderbeu-Tirana dhe Teuta-Laçi, ndërkohë që dueli i së hënës së orës 18:00, Partizani-Vllaznia, mbyll javën e 12-të të Abissnet Superiore. Duke u përqëndruar në kampin kuqeblu, duhet thënë nse Vllaznia ka lënë pas ndeshjen e mesjavës ku barazoi 1 me 1 me Erzenin e Shijakut dhe ka nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen e radhës, e cila për nga emri i kundërshtarit, kryesues i tabelës së klasifikimit, është e një shkalle vështirësie jo të lehtë. Megjithatë, për vetë situatat në të cilat ndodhet skuadra kuqebluve, Vllaznisë i duhet patjetër reflektim, që do të thotë se kërkohet fitorja, ose më e pakta të mos kthehet në Shkodër pa pikë. Ndonëse ka vetëm pak ditë në dispozicion, kur akoma nuk ka mbyllur javën që ka marrë drejtimin e skuadrës, shqiptaro-maqedonasi i pankinës kuqeblu po bën të gjitha përpjekjet për të formatuar një formacion sfidues ndaj të kuqve të Partizanit. Pozitive në këtë aspekt është një rikthim i mundshëm në formacion i mbrojtësit të majtë, Ersin Hakaj, për të cilin lajmet nga stafi mjekësor bëjnë të ditur për një rikuperim të tij pas dëmtimit të marrë javë më parë.