Superliga e futbollit U- 21/Vllaznia, fiton në transfertë me Elbasanin, shënojnë Hoxha dhe Dodaj
Vllaznia U21 ka realizuar një fitore të rëndësishme, teksa në javën e parë të fazës së dytë ka mundur në transfertë ekipin e Akademisë së Futbollit Elbasani me rezultatin 1 me 2. 45 minutat e pjesës së parë kanë qënë përgjithësisht të dominuara nga skuadra kuqeblu, e cila përpos disa rasteve të rrezikshme në portën vendase, në minutën e 35-të arrin të shënojë me autor Ehren Hoxhën. 21 vjeçarët e Vllaznisë, vazhdojnë të luajnë mirë edhe në pjesën e dytë, dhe ndërkohë që kur pritej goli i dytë, që do të ishte edhe goli i qetësisë, janë vendasit, të cilët arrijnë të shënojnë me anë të futbollistit të tyre, Hida, duke barazuar rezultatin në 1 me 1. Një barazim ky i përkohshëm, i cili qëndron në fuqi vetëm shtatë minuta, sepse në skenë del goleadori Kevin Dodaj, që me golin e tij në minutën e 58-të rikthen avantazhin në favor të Vllaznisë. Minutat në vazhdim, shoqërohen me luftë të fortë sportive nga të dy kampet përkatëse, vendasit në kërkim të golit të barazimit, dhe Vllaznia për të mbajtur në fuqi avantazhin. Për t’u theksuar është se skuadra e teknikut Borshi në minutën e 71-të e në vazhdim ka luajtur me një futbollist më pak, pasi arbitri ka ndëshkuar me karton të kuq të diskutueshëm Maliqin. Megjithatë, kuqeblutë ia kanë dalë, pasi minuta e 90-të, lë në fuqi rezultatin e minutës së 58-të, avantazhin 1 me 2 në favor të Vllaznisë. Tre pikëshi i kësaj ndeshje e çon Vllanzinë në kuotën e 19 pikëve, vetëm dy pikë larg vendit të tretë, ndërkohë që objektivi është për fitimin e titullit kampion.