Superliga e moshave në futboll/ Një fitore dhe një humbje për ekipet e Vllaznisë, U19 dhe U17
Një fitore dhe një humbje është bilanci i dueleve të javës së katërt të Superligës së futbollit të moshave për ekipet e Vllaznisë. Ekipet respektive U19 dhe U19 priten në shtëpi ekipet respektive të Skënderbeut të Korçës, ndeshje këto të luajtuara në stadiumin “Reshit Rusi”. Fitorja është regjistruar nga Vllaznia U19 e drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani, e cila fitoi me rezultatin 1 me 0. Ndeshja në fjalë nisi me një minutë heshtje në respekt të ndarjes nga jeta të Vesës 17 vjeçare, vajzës së drejtorit të Akademisë së Futbollit Vllaznia, Alban Hasani, ndërkohë që gjatë ndeshjes, skuadra kuqeblu ka luajtur me shiritat e zi në krah. Referuar kronikës së ndeshjes, duhet thënë se kuqeblutë, të cilët vinin pas humbjes në transfertën e Laçit, luajtën gjatë të gjithë ndeshjes me theks sulmues duke pasur objektiv vetëm fitoren tre pikëshe. Dhe, këtë e arritën përmes një goli të vetëm të shënuar nga Klajti Halili në minutën e 42-të të pjesës së parë. Përpos golit të avantazhit, Vllaznia ka pasur edhe edhe raste të tjera shënimi, por portjeri mysafir Dervishi nuk ka lejuar që rrjeta e tij të prekej më. Me këtë tre pikësh, Vllaznia U-19 është e dyta në tabelën e klasifikimit me 9 pikë e ndjekur me po kaq pike nga Laçi dhe Dinamo ndërkohë që tabelën e klasifikimit pas javës së katërt e kryeson Partizani me 10 pikë të grumbulluara. Nga ana tjetër, 17 vjeçarët kuqeblu të drejtuar nga trajneri Ersi Çaku nuk kanë arritur të marrin rezultat pozitiv. Dopieta e Nastos, përkatësisht në minutat 8-të dhe 12-të i kalon në avantazh të dyfishmë miqtë nga Korça, të cilët nuk mjaftohen me kaq, pasi gjashtë minuta më vonë është Agolli që e çon në tre avantazhin e Skënderbeut. Megjithatë, pas pushimit mes dy pjesëve, kuqeblutë 17 vjeçarë, reagojne me golin e shënuar nga Arbër Bushati në minutën e 65-të. Goli i Bushatit u duk se rihapi ndeshjen, por megjithë sulmet e njëpasnjëshme të Vllaznisë, korçarët nuk lejojnë më të preket rrjeta e tyre duke dalë fitues të të gjithë ndeshjes me rezultatin 1 me 3. Pas javës së katërt, tabelën e klasifikimit për Superligën U17 e kryeson Teuta me 10 pikë, ndërkohë që Vllaznia është e gjashtë me 6 pikë.