Superliga e moshave në futboll / Vllaznia U19 humbet në transfertë me Partizanin, 2-0
Pas fitores së thellë 4 me 1 ndaj Vllaznisë së madhe të drejtuar nga tekniku Qatip Osmani, të hënën e kësaj fillim jave, Partizani arrin një tjetër fitore ndaj Vllaznisë. Kësaj radhe për Superligën e moshave U-19, ku përsëri Partizani doli fitues duke mundur Vllazninë U-19 me rezultatin 2 me 0. Ndeshja e luajtur dje në stadiumin “Arena e Demave” të kryeqytetit u shoqërua me faza interesante, kjo edhe për faktin se në gjirin e të dyja skuadrave ka futbollistë të talentuar, të cilët shumë shpejt pritet të jenë lidër në skuadrat e para të të dy klubeve respektive. Njëri prej tyre është edhe shkodrani Ensar Tafili, shtatlarti që nga Akademia Vllaznia, dy vite më parë ka kaluar tek skuadra e kuqe. Falë vlerave që disponon ai është bërë pjesë e skuadrës së parë të Partizanit, ndërkohë, që nisur nga mosha e re që ka, po kontribuon edhe në kampionatin e moshave për ekipin e Partizanit U-19. Madje, dje Ensari, nipi i çiklistit të madh Agim Tafili, si dhe djali i xhaxhait, futbollistit Alsid Tafili, edhe ai jo shumë larg pjesë e Partizanit, shënoi golin e dytë për të kuqtë në portën e Vllaznisë. U ndalën tek Ensar Tafili, pikërisht tek ky djalosh i talentuar që i dalë nga Akademia Vllaznia, po vijon një karrierë shumë të suksesshme në radhët e Partizanit, dhe me të gjitha gjasat e ardhmja e tij pritet të jetë në nivele të larta. Sa i përket kronikës së lojës, duhet thënë se megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, pjesa e parë u mbyll pa gola, 0 me 0. Ndërkohë që dhjetë minuta nga nisja e pjesës së dytë, Partizani shënoi dy gola të shpejtë me autor Sulon dhe Ensar Tafilin. Megjithë përpjekjet e kuqebluve të drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani, avantazhi 2 me 0 i Partizanit mbetet në fuqi deri në fund të ndeshjes duke nxjerrë fitues Partizanin, i cili me këtë tre pikësh kryeson Superligën U19 me 13 pikë, ndërkohë që Vllaznia është e gjashta me 10 pikë.