Superliga e volejbollit / Dy fitore kuqeblu, femrat mundin Pogradecin, meshkujt Erzenin
Java e dhjetë e Superligës së volejbollit ka rezultuar e suksesshme për dy ekipet e volejbollit Vllaznia, pasi që të dy ekipet kanë arritur të realizojnë dy fitore shumë të rëndësishme. Fillimisht ka ardhur fitorja e Vllaznisë për femra, duke sfiduar një rival direkt si Pogradeci me rezultatin 3-2, ndërkohë që më pas ka qënë Vllaznia e meshkujve që ka bërë të njëjtën gjë duke mundur me rezultatin 3-1 ekipin shijakas Erzeni. Për trajneren e Vllaznisë së femrave, Nora Deda, fitorja është shumë e rëndësishme, por shprehet e pakënaqur nga volejbollistet e saj në këtë ndeshje.
Ndërkohë, nga ana e saj, trajnerja pogradecare, Mimoza Shahu, shpreh keqardhjen që i iku nga duart një ndeshje që e kishin shumë pranë suksesin, por ndërkohë pohoj se fitorja e Vllaznisë ishte e merituar.
Menjëherë pas ndeshjes së femrave, në fushën e lojës janë shfaqur ekipet e meshkujve, ku Vllaznia dhe Erzeni kanë dhuruar spektakël. Të dyja skuadrat kishin synim fitoren, por në fund është Vllaznia që triumfon me rezultatin 3-1, në një ndeshje ku kapiteni Nikolin Qafarena ishte më i miri në fushën e lojës me 24 pikë të shënuara, më shumë se askush tjetër.