Superliga e volejbollit / Dy fitore në transfertë për ekipet e Vllaznisë, femra dhe meshkuj
Superliga e volejbollit për femra dhe meshkuj ka luajtur ndeshjet e javës së shtatë, ku dy ekipet e Vllaznisë, femra dhe meshkuj kanë luajtur në transfertë duke dalë fitues, respektivisht 1 me 3 femrat dhe 2 me 3 meshkujt. Emocionet më të shumta i ka përcjellë ballafaqimi i meshkujve, ku për të përcaktuar fituesin janë dashur të luhen plot 5 sete. Dy setet e parë fitohen nga Vllaznia me shifrat 17-25 dhe 22-25, ndërkohë që dy setet e tjerë, i treti dhe i katërti fitohen nga ekipi vendas Elbasani me pikët shtesë 26 me 24 dhe 27 me 25. Rivaliteti dhe emocionet vijojnë të jenë prezente edhe në setin e pestë final, ku Vllaznia arrin të fitojë me dy pikë diferencë, 13-15 duke fituar të gjithë ndeshjen 2 me 3. Një fitore kjo e meriatuar për Vllazninë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja dhe kolegu i tij Ermal Kraja, duke i pozicionuar kuqeblutë në vendin e tretë të renditjes me 14 pikë, ndërkohë që në krye është Partizani me 21 pikë i ndjekur nga Erzeni me 18 pikë. Për t’u theksuar është se kapiteni Nikolin Qafarena, lojtari kryesor i kuqebluve, në fund të fazës së parë kryeson listën e pikëshënuesve me 198 pikë duke vijuar të paraqesë një formë shumë të mirë sportive. Nga ana tjetër, emocione ka përcjellë edhe ndeshja e femrave, Lushnja-Vllaznia, ku skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajnerja Nora Deda dhe kolegu i saj Ardian Dodani kanë fituar me rezultatin 1 me 3. Një ndeshje që nisi mirë për skuadrën kuqeblu, e cila e mbyll setin e parë me fitore 18 me 25. Ndërkohë, seti i dytë ishte më i bukuri i të gjithë ndeshjes, kjo edhe për reagimin e fuqishëm të skuadrës pritese të Lushnjes, e cila rivalizoi shumë për ta fituar këtë set. Emocionet e këtij seti shkuan deri në pikët shtesë, ku Lushnja e finalizon duke fituar me shifrat, 29 me 27. Barazimi 1 me 1 me sete rihap ndeshjen, ku volejbollistet lushnjare tentojnë ta fitojnë edhe këtë set, por është Vllaznia, e cila tregohet më e kujdeshme në pikët vendimtare teksa del fituese me rezultatin 22-25. Duke fituar edhe setin e katërt 15 me 25, Vllaznia e volejbollit femra fiton të gjithë ndeshjen me rezultatin 1 me 3. Pas kësaj jave, Superligën e volejbollit femra e kryeson Skënderbeu me 19 pikë e ndjekur nga Partizani me 18 pikë, Tirana 15, Barleti 11, ndërkohë që Vllaznia dhe Pogradeci me nga 9 pikë ndajnë vendin e pestë dhe të gjashtë duke lëna pas Teutën me 3 dhe Lushnjen, 0 pikë.