Superliga e Volejbollit Femra/ Vllaznia mund Barletin, trajnerja Deda dhe presidenti Zekja të kënaqur me skuadrën
Në javën e dytë të Kampionatit Kombëtar të volejbollit për femra Vllaznia luajti në shtëpi duke pritur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin e Barletit, një rival i drejtpërdrejt këto vitet e fundit. Kaçi, Gjyshja, Agolli, Kuçi, Erkoçi, Beci, dy motrat Kodra, Rukaj, Ndou, me në krye kapitenin Klodeta Zhivani, të drejtuara nga trajnerja Nora Deda dhe kolegu i saj Ardian Dodani bënë një prezantim shumë të mirë duke marrë me të drejtë edhe duartrokitjet e shumta të tifozërisë shkodrane. E gjithë ndeshja ka përfunduar me rezultatin e pastër, 3 me 0 në favor të Vllaznisë. Një fitore kjo plotësisht e merituar për vajzat kuqeblu, por që në nja farë mënyre nuk ishte e lehtë për t’u arritur. E themi këtë, sepse pas një epërsie të dukshme në setin e parë të fituar me shifrat 25 me 16, në dy të tjerët pati shumë rivalitet deri në pikët e fundit, ku Vllanzia i mbylli me fitore, 25-23 dhe 26-24. Për trajneren e Vllaznisë, arma më e fortë e skuadrës së saj në këtë ndeshje ishte mbrojtja.I kënaqur me paraqitjen e skuadrës kuqeblu në të ndeshje ishte edhe presidenti i Vllanzisë në Volejboll femra, Florjan Zekja.Me këtë përformacë të paraqitur në përballjen me Barletin, Vllaznia e volejbollit femra dha sinjale pozitive për sezonin e ri sportiv.