Superliga luhet në dy ditë / Vllaznia pret Laçin të shtunën, ora 17:00 në “Loro Boriçi”
Partizani-Vllaznia, takim ky i luajtur mbrëmjen e së hënës në stadiumin “Arena e Demave” të kryeqytetit dhe i mbyllur me fitoren e thellë të vendasve me rezultatin 4 me 1, ishte ndeshja e fundit e javës së 12-të të kategorisë Abissnet Superiore. Pas një dite pushim siç ishte ajo e së martës, Vllaznia, ashtu si edhe skuadrat e tjera të Superiores kanë nisur përgatitjet për ndeshjet e javës së 13-të, ku sipas kalendarit të përcaktuar nga sektori i garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, do të luhet në dy ditë, e shtunë dhe e dielë. Gjithçka do të startojë me supersfidën e kësaj jave mes Egnatias dhe Partizanit. Kjo përballje do të luhet në “Egnatia Arena” duke nisur që nga ora 14:00. Dy ekipet kryesyese do të vihen përballë njëra-tjetrës në duelin që premton spektakël dhe ku nuk lejohen hapat fals. Partizani është skuadra e momentit në kampionat që me fitoren e fundit ndaj Vllaznisë numëron gjashtë fitore radhazi, ndërsa nga krahu tjetër rrogozhinasit do të tentojnë të marrin tre pikshin për të mbajtur kryesimin të vetëm të kampionatit. Ndërkohë, në orën 17:00 të po të ditës së shtunë do të luhen dy sfida e tjera të kësaj dite. Në “Loro Boriçi” do të përballen dy komshinjtë veriorë, Vllaznia dhe Laçi. Si shkodranët edhe kurbinasit do të kërkojnë të rikthehen te fitorja në kampionat që iu mungon prej disa javësh. Në veçanti, për vetë situatat problematike që po kampon Vllaznia, fitorja në kampin kuqeblu është një detyrim parësor, sepse përndryshe, gjërat mund të shkojnë edhe më keq sa janë tashmë kur gjendjen me vetëm një pikë më shumë se sa vendi I fundit në tabelën e klasifikimit. Paralelisht me çiftin, Vllanzia-Laçi, do të luhet edhe Skënderbeu-Teuta. Edhe korçarët dhe durrsakët kanë harruar “shijen” e fitores në kampionat dhe dueli mes tyre do të jetë mjaft i luftuar. Ndërkohë të dielën do të luhen dy sfidat e fundit. Tirana-Kukësi në “Selman Stërmasi” duke nisur që nga ora 14:00, teksa Dinamo-Erzeni do të mbyllë siparin e kësaj jave në orën 17:00. Kjo përballje do të luhet në “Niko Dovana”, pasi ndeshjet e mbetura si pritëse skuadra e Dinamos do t’i zhvillojë në Durrës.