Superliga rikthehet të enjten / Vllaznia-Laçi luhet të premten në “Loro Boriçi”
Kategoria Superiore e futbollit shqiptar rikthehet të enjten me ndeshjet e javës së 13-të. Në fakt, kjo javë duhej të luhej më herët, por për shkak të ngjarjes tragjike të ndarjes nga jeta të futbollistit ganez, Rafaef Dwamena u shty. Shtyerje kjo që më pas u pasua edhe me zhvillimin e ndeshjeve të kombëtares, dhe tashti gjithçka është gati për të nisur duelet e Superiore. Ashtu siç është thënë edhe më herët, java e 13-të do të nisë aty ku u ndërpre, në minutën e 25-të të ndeshjes, Egnatia-Partizani, rezultati i së cilës 1 me 1, i fiksuar deri në atë moment, do të vijojë të qëndroj në fuqi. Po të enjten, në kalendar janë edhe dy ndeshjet e tjera, Dinamo-Erzeni që do të luhet në “Niko Dovana”, dhe Tirana-Kukësi që do të luhet në stadiumin “Air Albania”, i cili hap dyert pas mbylljes së ciklit të ndeshjeve eleminatore të kombëtares për Europianin. E premtja ka rezervuar dy ndeshje të tjera po aq të rëndësishme, Vllaznia-Laçi dhe
Skënderbeu-Teuta, që të dyja me start në orën 17:00. Sa i takon ballafaqimit që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” mes kuqebluve pritës dhe kurbinasve udhëtues, pritet të jetë një sfidë shumë e dylufuar, ku të dyja skuadrat kanë objektiv fitoren. Pas ndryshimeve më të fundit, Vllaznia paraqitet në këtë sfidë shumë të rëndësishme nën drejtimin e dy Osmanëve, Qatip Osmanit në pankinë dhe Tefik Osmanit në postin e drejtorit sportiv, i cili zëvendësoi Elvis Plorin e larguar në fillim të javës. Për kuqeblutë, ndërprerja e kampionatit ka qënë dukshëm në të mirë të saj, pasi gjatë këtyre ditëve, ka pasur një rikuperim total të të gjithë të dëmtuarve. Ç’ka do të thotë, se stafi teknik ka komoditetin të përzgjedhë ato që kanë formën më të mirë sportive. Ndër to, ato që spikasin më tepër në rikthim, janë Hakaj, Mala dhe braziliani Gomesh, të cilët pritet të jenë në fushë nga minuta e parë. E vetmja mungesë në këtë ndeshje për Vllazninë, është ajo e kapitenit Bekim Balaj, i cili është i skualifikuar me kartonë.