Superliga volejboll meshkuj U- 21, kuqeblutë mundin Partizanin dhe fitojnë titullin kampion
21 vjeçarët e Vllaznisë në volejboll për meshkuj janë shpallur kampion të Shqipërisë. Një sukses ky i merituar për këtë skuadër që drejtohet nga trajneri Endri Jukni dhe kolegu i tij Fatjon Çekini. Dy trajnerë që në fakt gjatë të gjithë kampionatit të Superligës së volejbollit për të rritur kanë kontribuar në formacionin e Vllaznisë që drejtohet nga trajneri Artan Kalaja. Pasi kaluan me shumë sukses dy fazat e kampionatit, volejbollistët 21 vjeçarë të Vllaznisë luajtën tre ndeshjet e fazës Play Off duke pasur përballë Partizanin. Nga një fitore për secilën skuadër në dy ndeshjet e para, ndërkohë që në të tretën që ishte edhe finalja vendimtare për të shpallur ekipin kampion, edhe pse ndeshja u zhvillua në kryeqytet, Vllaznia triumfoi duke fituar me rezultatin 3 me 0. Në këtë mënyrë, kuqeblutë e Vllaznisë të kategorisë U21, fitojnë të parin titull nën drejtimin e dyshes së trajnerëve Jukni-Çekini, ndërkohë që dy vite më herët patën fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Titullin kampion Vllaznisë ia ka dorëzuar Sekretari i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Ervis Dosti, gjatë ceremonisë së organizuar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit, menjëherë pas ndeshjes finale me Partizanin. Titull që është marrë në dorëzim nga ana e kapitenit Gilman Talani, një nga volejbollistët më të spikatur të kampionatit të Superligës, jo vetëm për 21 vjeçarët, por edhe në Superligën e rritur ku është aktivizuar me shumë sukses në radhët e Vllaznisë.