Surrogacia, gjinekologu: E nxituar, PE e votoi kundër. E quan trafikim njerëzor
Gjinekologu Astrit Bimbashi e ka konsideruar projektligjin e ri për surrogacinë si të nxituar në një kohë kur sipas tij edhe Parlamenti Evropian e ka votuar kundër.
Duke folur në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri”, Bimbashi theksoi se përveçse është dënuar nga Parlamenti Evropian, Italia e konsideron si krim ndërkombëtar.
Ai vuri në dukje se një italiane nuk mund të vijë në Shqipëri dhe të marrë fëmijë nga një nënë surrogate apo të bëhet vetë e tillë.
“Mua më vjen keq për një fakt, projektligji doli dhe kjo histori plasi se edhe njerëzit janë të ndjeshëm.
Surrogacia s’ka qenë e ndaluar që në vitin 2002 kur është bërë ligji, është amenduar në vitin 2009 dhe pastaj ka dalë projektligji i ri. Nëse projektligji është i papërgatitur si duhet, është bërë me nxitim dhe pa u bazuar në shumë probleme apo në shumë grupe të interesit dhe doli për fat të keq kur Parlamenti Evropian e votoi njëzëri kundër dhe e quajti trafikim njerëzor të dënueshëm.
Pas kësaj historie, Italia e ka quajtur krim ndërkombëtar. Një Italiane nuk mund të vijë në Shqipëri dhe të marrë një fëmijë nga një nënë surrogate sepse dënohet pavarësisht se ku e bën një gjë të tillë, si surrogate vetë apo edhe duke përdorur një grua tjetër për të marrë një fëmijë”, u shpreh gjinekologu Bimbashi.
Ai shtoi se Shqipëria duhet të fokusohet më shumë në aspektin e shëndetit riprodhues aq më tepër kur lindshmëria vitet e fundit ka rënë ndjeshëm.
“E gjithë kjo historia e surrogacisë dhe abortit lë mënjanë atë që ne duhet të diskutonim për shëndetin riprodhues. Të harxhojmë po këto para që ofrohen duke i ofruar gruas një shërbim më të mirë sepse do të kemi fëmijnë më të shëndetshëm dhe fëmijë më të mirë dhe aq më tepër për një vend si ky i yni ku lindshmëria ka rënë vitet e fundit për 100 arsye të tjera”, shpjegoi Bimbashi.