Szunyog; Masat e BE-së pas deklaratës së 3 qershorit, heqja e tyre varet nga pozicioni i shteteve anëtare

5a7361175a18402e95d461e2f30f1d37
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, ka deklaruar se heqja e masave teë BE-së varet nga pozicioni i shteteve anëtare të saj, ndërsa theksoi se masat lidhen me deklaratën e 3 qershorit, ku Kosovës i kërkohet mbajtja e zgjedhjeve në veri, deeskalimi i situatës dhe angazhimi në dialog.
“Ato janë që vendosin për këto çështje. Ka pasur një deklaratë pas atij konflikti, apo sulmeve ndaj KFOR-it më tre qershor që është dakorduar nga 27 shtetet anëtare dhe në bazë të kësaj është vendosur që të bëhen masat. Ndërsa nuk ka pasur deklarim të ngjashëm për sa u përket sulmeve në Banjskë, pjesërisht ndoshta edhe për shkak se institucionet e Kosovës janë ende duke punuar në raportin që do t’i sjellë të gjitha faktet. Deklarata nga tre qershori është shumë e qartë dhe i kërkon Kosovës zgjedhjet e parakohshme në veri dhe që të zbatojë disa hapa në tri fusha. E para është deskalimi i situatës në veri, e dyta zgjedhjet e parakohshme në veri dhe në fund angazhimi në dialog, duke përfshirë aty edhe Asociacionin”, u shpreh ambasadori për RTK-në.
Ai u shpreh më tej, se integrimi i Kosovës e Serbisë, varet nga marrëveshjet për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Duke folur për dialogun, ambasadori u shpreh se ka një lloj formulimi në raport për sa i përket dialogut.
“Ekziston pozicioni i qartë i institucioneve të BE-së. Integrimi i Kosovës dhe Serbisë varet nga marrëveshjet për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe kjo është tejet e qartë. Pra, ky tekst reflekton faktin që kemi një pajtim në kuptimin e rrugës drejt normalizimit që nga shkurti. Pastaj aneksin e Ohrit nga marsi i këtij viti dhe tash flasim për zbatimin. Raporti është shumë i qartë. Fatkeqësisht as Serbia, e as Kosova nuk kanë filluar ta implementojnë atë”, ka deklaruar ambasadori Szunyog.