Tabaku pret në takim kryetaren e Kuvendit çek: Mbështetje për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së
Në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Shqipëri, Kryetarja e Dhomës së Ulët të Parlamentit Çek, Marketa Pekarova Adamova zhvilloi një takim me Kryetaren e Komisionit për Çështjet Europiane, deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Takimi përforcoi angazhimin e përbashkët për procesin e integrimit europian dhe bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Çekisë.
Adamova vlerësoi marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve, duke theksuar aleancën e tyre brenda NATO-s dhe rëndësinë e luftës kundër ndikimeve të huaja, përfshirë ato ruse. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e Çekisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, duke ofruar asistencë në çdo hap të procesit.
Nga ana e saj, Tabaku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë, duke kujtuar që procesi i integrimit të Shqipërisë nisi pikërisht gjatë Presidencës Çeke në 2013. Ajo ngriti shqetësimin për emigracionin masiv nga Shqipëria, duke theksuar se 40% e forcës së punës ka emigruar drejt vendeve të BE-së, një sfidë kritike për të ardhmen e vendit.
Në diskutim u prekën edhe sfidat kryesore për demokracinë në Shqipëri, përfshirë dështimin për zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR mbi reformën zgjedhore dhe nevojën për të hapur procesin e integrimit për më shumë aktorë kombëtarë. Tabaku nënvizoi se Komisioni për Çështjet Europiane duhet të bëhet një qendër e informacionit dhe koordinimit për procesin e integrimit.