Tabaku thirrje qeverisë: Riktheji profesionistëve të lirë taksën e marrë padrejtësisht
Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka vijuar thirrjet drejtuar qeverisë për t’iu kthyer profesionistëve të lirë këstin e marrë padrejtësisht nga tatimi 15% mbi Profesionet e Lira.
Pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të pikës së ligjit që i detyronte profesionistët e lirë të paguanin tatim për të ardhurat në masën 15% prej janarit të këtij viti, sipas Tabakut, tashmë këtyre profesionistëve iu duhet rikthyer kësti që iu mor në mënyrë antikushtetuese dhe pandershmërisht.
“Profesionistëve të lirë u duhet rikthyer çfarë iu morr padrejtësisht, kësti taksës antikushtetuese!
Qeveria vazhdon të heshtë për rikthimin e këstit të taksës që padrejtësisht u ka marrë profesionistëve të lirë. Të jemi të qartë, shtresa e mesme ka paguar padrejtësisht një këst të taksës antikushtetuese të profesionistëve të lirë. Atyre u duhet kthyer ajo që është marrë padrejtësisht dhe pandershmërisht!
Vendimi parë që Ministri Finamcave duhet të dërgojë në tavolinën e qeverisë është rikthimi kësaj pagese që u morr padrejtësisht dhe pandershmërisht në një kohë që Gjykata Kushtetuese po shqyrtonte çështjen e dërguar prej PD dhe profesionistëve të lirë”, tha Tabaku, teksa shtoi se nuk ka arsye logjike, ekonomike e administrative që qeveria të mbajë në arkë 10 mln euro që u janë marrë padrejtësisht profesionistëve të lirë.
Tabaku paralajmëroi se nuk do të ndalet derisa qeveria t’iu rikthejë qytetarëve atë çka u mori padrejtësisht.
“Nëse qeveria sot hesht kjo vjen si pasojë e vendimit të saj politik për t’u sekuestruar padrejtësisht 10 mijë qytetarëve që kanë një biznes të vogël të ardhurat që u takojnë atyre. Koha t’u rikthehet qytetarëve ajo që iu morr padrejtësisht dhe pandershmërisht!
Na duhet një qeveri e ndershme që i trajton me dinjitet qytetarët. Që respekton sipërmarrjen! Që nuk mbingarkon me taksa dhe nuk fut dorën në xhepin e shtresës së mesme edhe kur Kushtetuta e ndalon!
Nuk do ndalemi për sa kohë nuk do u rikthehet ç’ka u është marrë padrejtësisht shtresës së mesme!”, përfundoi Tabaku.