Tabaku: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmoi vërtetësinë dhe sinqeritetin e kauzës të studentëve
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e studentëve të mjekësisë.
Në një postim në rrjetet sociale , Tabakut, shkruan se shfuqizimi i disa neneve në ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, dëshmoi vërtetësinë dhe sinqeritetin e kauzës të studentëve por njëkohësisht dëshmon se si institucionet janë një shans për demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Kur politika është në shërbim të qytetarëve, vijon Tabaku, një grup studentësh patën vizionin, vendosmërinë dhe besimin për ta çuar betejën e tyre në institucione.
“Patën besimin se së bashku me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike do të mund të zhbënin nismën antikushtetuese të ndërmarrë nga qeveria. Sot, padia e dorëzuar në GJK nga palët dëshmoi vërtetësinë dhe sinqeritetin e kauzës. Dëshmoi se institucionet janë një shans për demokracinë dhe sundimin e ligjit”, shkruan Tabaku
Sipas saj, shfuqizimi i detyrimit për studentët e mjekësisë të qëndrojnë në Shqipëri për 5 vite pas përfundimit të shkollës është fitorja e studentëve. Por, njëkohësisht dhe një dëshmi se si politika mund t’i shërbejë qytetarëve.
“Një provë e fortë se si opozita është në shërbimin e qytetarëve jo vetëm duke denoncuar por edhe duke punuar për to. E gjitha kjo mund të arrihet përmes institucioneve, forcës së argumentit dhe vërtetësisë së bindjeve se bashkë mund t’ia dalim”, përfundon komentin e saj deputetja e PD-së.