Tajfuni Yagi godet Vietnamin, 21 viktima dhe me qindra të plagosur
Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe 229 të tjerë janë plagosur si pasojë e tajfunit Yagi në Vietnamin verior. Tajfuni Yagi konsiderohet si stuhia më e fuqishme e Azisë këtë vit me erëra deri në 203 km/h, ndërsa në zona ka pasur përmbytje dhe rrëshqitje masive dheu.
Viktimat më të shumta janë regjistruara në provincën malore veriore Lao Cai, ku 17 persona humbën jetën pas rrëshqitjeve masive të dheut.
Ekipet e kërkim-shpëtimi shpëtuan 27 persona në det pasi një duzinë peshkatarë u raportuan të zhdukur. Rreth 41 varka peshkimi janë midis anijeve të mbytura ose të humbura si pasojë e stuhisë. Në qytetin port të Hai Phong, disa zona ishin të përmbytura, ndërsa ndërprerjet e energjisë goditën pjesën më të madhe të qytetit.
Gati 50,000 njerëz janë evakuuar nga qytetet bregdetare në Vietnam dhe shkollat u mbyllën përkohësisht në 12 provinca veriore. Para se të godiste Vietnamin, tajfuni solli shkatërrim në ishullin kinez të Hainan dhe në Filipine, duke vrarë të paktën 24 njerëz dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.
Një super tajfun është i barabartë me një uragan të kategorisë 5. Shkencëtarët thonë se tajfunet dhe uraganet po bëhen më të fortë, më të shpeshtë dhe po qëndrojnë mbi tokë për më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike. Ujërat më të ngrohta të oqeanit do të thotë që stuhitë marrin më shumë energji, gjë që çon në shpejtësi më të larta të erës.
Një atmosferë më e ngrohtë gjithashtu mban më shumë lagështi, gjë që mund të çojë në reshje më intensive.