Takim me bizneset fasonë, Rama: Rrisim mbështetjen për sektorin, të fuqizojmë markën “Made in Albania”

6747732f30ee4cd98437731236059964
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me bizneset fasonë këtë të mërkurë (17 janar), ku në fokus të bisedimeve ishte transformimi i këtij sektori. Në një postim në Facebook, Rama shkruan se qeveria do të ndërmarrë një sërë masash mbështetëse për kapërcimin e sfidave me të cilat po përballet ky sektor.
Kreu i qeverisë thekson se ata duhet të kuptojnë se koha e krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka përfunduar dhe se tashmë nevojiten investime në teknologji e inovacion.
“Piramida e Tiranës – Në “Shtëpinë e Biznesit” me përfaqësuesit e shoqatës së industrisë me material porositësi (fason), për të diskutuar mbi nevojat për transformimin e mëtejshëm të sektorit, në shembullin e kompanive lider në sektor; masat mbështetëse që do të ndërmarrim për kapërcimin e sfidave të zhvillimit; domosdoshmërinë e të kuptuarit nga të gjithë aktorët e sektorit të faktit se koha e krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka përfunduar prej disa kohësh tanimë dhe ky fakt përballet vetëm me investime në teknologji e inovacion, e me paga dinjitoze rrjedhimisht”, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, ndihma për këtë sektor përfshinë rimbursimin e shpejtë të TVSH, garanci sovrane për investime në teknologji e inovacion etj.. Rama shkruan se qeveria do të rrisë angazhimin për të ndihmuar këtë sektor, me synimin për fuqizimin e markës “Made in Albania”.
“Ndërhyrjet e dakordësuara do të stimulojnë pikërisht transformimin dhe investimet në teknologji e inovacion, duke mbështetur me shpejtësi nevojën për likuiditet, nevojën për kreditim të lehtësuar, si edhe për burime njerëzore të kualifikuara: Rimbursim i shpejtë i TVSH përmes një kanali të dedikuar për kompanitë e kësaj industrie
Ofrimi i një mekanizmi lehtësues (overdraft) për disponimin e shpejtë të likuiditetit, sipas kontratave me porositësit që kompanitë duhet të fusin në prodhim
Një garanci sovrane për investime në teknologji dhe inovacion
Një skemë financimi për ngritjen e një akademie profesionale për manifakturën dhe trajnimet përkatëse në kompani
Qeveria do të rrisë angazhimin e saj për ta mbështetur më tej këtë sektor që të mbyllë vetë ciklet e prodhimit, si dhe të bëhet më produktiv e më konkurrues duke fuqizuar markën ‘Made in Albania’”, përfundon postimin e tij Rama.