6747732f30ee4cd98437731236059964
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me bizneset fasonë këtë të mërkurë (17 janar), ku në fokus të bisedimeve ishte transformimi i këtij sektori. Në një postim në Facebook, Rama shkruan se qeveria do të ndërmarrë një sërë masash mbështetëse për kapërcimin e sfidave me të cilat po përballet ky sektor.
Kreu i qeverisë thekson se ata duhet të kuptojnë se koha e krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka përfunduar dhe se tashmë nevojiten investime në teknologji e inovacion.
“Piramida e Tiranës – Në “Shtëpinë e Biznesit” me përfaqësuesit e shoqatës së industrisë me material porositësi (fason), për të diskutuar mbi nevojat për transformimin e mëtejshëm të sektorit, në shembullin e kompanive lider në sektor; masat mbështetëse që do të ndërmarrim për kapërcimin e sfidave të zhvillimit; domosdoshmërinë e të kuptuarit nga të gjithë aktorët e sektorit të faktit se koha e krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka përfunduar prej disa kohësh tanimë dhe ky fakt përballet vetëm me investime në teknologji e inovacion, e me paga dinjitoze rrjedhimisht”, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, ndihma për këtë sektor përfshinë rimbursimin e shpejtë të TVSH, garanci sovrane për investime në teknologji e inovacion etj.. Rama shkruan se qeveria do të rrisë angazhimin për të ndihmuar këtë sektor, me synimin për fuqizimin e markës “Made in Albania”.
“Ndërhyrjet e dakordësuara do të stimulojnë pikërisht transformimin dhe investimet në teknologji e inovacion, duke mbështetur me shpejtësi nevojën për likuiditet, nevojën për kreditim të lehtësuar, si edhe për burime njerëzore të kualifikuara: Rimbursim i shpejtë i TVSH përmes një kanali të dedikuar për kompanitë e kësaj industrie
Ofrimi i një mekanizmi lehtësues (overdraft) për disponimin e shpejtë të likuiditetit, sipas kontratave me porositësit që kompanitë duhet të fusin në prodhim
Një garanci sovrane për investime në teknologji dhe inovacion
Një skemë financimi për ngritjen e një akademie profesionale për manifakturën dhe trajnimet përkatëse në kompani
Qeveria do të rrisë angazhimin e saj për ta mbështetur më tej këtë sektor që të mbyllë vetë ciklet e prodhimit, si dhe të bëhet më produktiv e më konkurrues duke fuqizuar markën ‘Made in Albania’”, përfundon postimin e tij Rama.
Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të dinastisë Marubi, një prej emrave më të njohur…
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë vijon publikimin e të dhënave nga numërimi i votave…
Ministria e Financave ka lajmëruar se me qëllim forcimin e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare për…
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar fondet vjetore të 2025 për partitë politike që do…
Në një kohë kur sistemi i drejtësisë po vuan nga mungesa e magjistratëve, boshllëk që…
Të shtunën, besimtarët myslimanë nisin muajin e Ramazanit. Me këtë rast, teologu Arben Halluni, zëvendësmyfti…
This website uses cookies.