Categories: BotaLajme

Takimi Biden – Xi javën e ardhshme në San Francisko, sfidat madhore dypalëshe dhe globale

Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping të mërkurën që vjen, për herë të parë prej një viti. Kjo u bë e ditur nga zyrtarë të lartë të amerikanë.

Bisedimet kritike synojnë zbutjen e tensioneve mes dy superfuqive. Ato do të mbahen në San Francisko, ku dy udhëheqësit do të marrin pjesë në takimin e nivelit të lartë të forumit për Bashkëpunimin Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Bisedimet mund të zgjasin me orë të tëra dhe të përfshijnë ekipe zyrtarësh nga Pekini dhe Uashingtoni.

Në qendër të takimit pritet të jenë çështjet globale nga lufta Izrael-Hamas, deri te agresioni rus ndaj Ukrainës, lidhjet e Koresë së Veriut me Rusinë, Tajvani, Indo-Paqësori, të drejtat e njeriut, problemi i fentanilit, inteligjenca artificiale, si edhe marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike, thanë zyrtarët.

“Asnjë temë nuk do të mbetet pa trajtuar”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës së zotit Biden, i cili foli në kushtet e anonimitetit. “Ne kemi qenë të qartë për këtë. E dimë se përpjekjet prej disa dekadash për reformimin e Kinës kanë dështuar. Por Kina është një lojtar i rëndësishëm në skenën botërore”, tha ai.

Zyrtarët amerikanë që kanë bërë përpjekje për realizimin e këtij takimi për pothuajse një vit, besojnë se Pekini ka punuar në mënyrë aktive për të minuar politikën e SHBA-së në gjithë botën.

Presidentët Biden dhe Xi do të flasin për herë të parë që nga nëntori i vitit 2022. Ekipi i Shtëpisë së Bardhë ndërmori një fushatë diplomatike për riparimin e marrëdhënieve të tensionuara pasi presidenti Biden urdhëroi rrëzimin e një balone kineze që përshkoi hapësirën ajore të Shteteve të Bashkuara në shkurt.

Një nga rezultatet kryesore të kësaj fushate pritet të jetë shtimi i aktivitetit diplomatik, angazhimet për intensifikimin e dialogut për çështje kyçe, përfshirë klimën, shëndetin global, stabilitetin ekonomik, përpjekjet kundër narkotikëve dhe rigjallërimin e mundshëm të kanaleve ushtarake pas një ngrirjeje të nivelit të lartë në këtë drejtim.

Të dyja palët ka gjasa të shfaqin gjeste modeste të vullnetit të mirë për të lehtësuar bisedimet, sipas dy personave të tjerë të informuar mbi diskutimet.

Por do të jetë e vështirë të shënohet përparim i konsiderueshëm. Të dyja vendet e shohin veten gjithnjë e më shumë si antagonistë në një konkurrencë të drejtpërdrejtë për të siguruar avantazh ushtarak, për të pasur epërsi në ekonominë e shekullit të 21-të dhe për të siguruar aleancat e vendeve të tjera, thonë zyrtarët amerikanë dhe kinezë.

Përpjekjet për një organizim të kujdesshëm të vizitës së zotit Xi mund të hasin pengesa në qytetin e Kalifornisë, i cili ka një histori të gjatë protestash dhe aktivizmi të krahut të majtë.

Presidentët Biden dhe Xi njihen me njëri-tjetrin prej më shumë se një dekade dhe kanë pasur bisedime të gjata disa herë që nga inaugurimi i presidentit Biden në vitin 2021. Por ata vijnë në këtë takim me dyshime dhe pakënaqësi të ndërsjella ndaj njëri-tjetrit.

Mes temave të tjera të ndjeshme, zoti Biden pritet të trajtojë ato për përpjekjet kineze për ndërhyrje në zgjedhjet e huaja dhe statusin e qytetarëve amerikanë që Uashingtoni beson se janë të ndaluar pa të drejtë në Kinë.

Presidenti Biden, 80 vjeç, është në krye të një ekonomie që i ka tejkaluar pritshmëritë dhe është forcuar më shumë se ajo e vendeve të tjera të pasura pas pandemisë COVID-19.

Megjithëse mbështetja e tij mes votuesve është e ulët, ai po kërkon një mandat të dytë në detyrë mes shqetësimeve për stabilitetin e demokracisë në SHBA.

Megjithatë, zoti Biden ka arritur të bashkojë aleatët tradicionalë nga Evropa në Azi në mbështetje të Ukrainës përballë agresionit rus, megjithëse disa prej tyre kanë dallime në lidhje me konfliktin Izrael-Hamas.

Zoti Xi është bërë udhëheqësi më i fuqishëm kinez që nga Mao Ce Duni, pasi ka forcuar kontrollin mbi politikën, udhëheqësit e shtetit, median dhe ushtrinë dhe ka ndryshuar kushtetutën.

Kohët e fundit, sfidat e ndërlikuara ekonomike e kanë larguar vendin nga trajektorja e rritjes prej tre dekadash.

Presidenti Biden pritet t’i thotë zotit Xi se angazhimet e SHBA-së në Indo-Paqësor janë të pandryshuara. Kina ka shkaktuar shqetësime tek fqinjët e vet vitet e fundit me veprimet në ngushticën e Tajvanit, Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore.

Zoti Biden do të shprehë gjithashtu një angazhim konkret për sigurinë e Filipineve, tha një nga zyrtarët amerikanë. Presidenti Biden pritet gjithashtu t’i kërkojë homologut të tij Xi që të ushtrojë ndikim tek Irani që të mos përpiqet të zgjerojë konfliktin në Lindjen e Mesme, thanë zyrtarët. Reuters

RTSH Shkodra

Recent Posts

Njoftim i plotë për Sëmundjen e Murtajës Afrikane të Derrave

Pas konfirmimit të Murtajës Afrikane të Derrave, në Malin e Rrencit në datën 26.11.2024, Autoriteti…

8 minutes ago

Formula 1, edhe 7 vite në Monza

Zgjatet marrëveshja mes Autodromit Kombëtar të Monzës dhe Kampionatit Botëror të Formula 1. Gara në…

37 minutes ago

Murtaja Afrikane e Derrit prek Lezhën/ Në malin e Rrencit në Shëngjin ngordhin 10 derra, zona vendoset në karantinë

Murtaja Afrikane e Derrit ka prekur Lezhën.Vatra e sëmundjes është identifikuar në Malin e Rrencit…

59 minutes ago

Vengu: Forcat e Armatosura mision në malin e Korabit për të shpëtuar njerëzit e bllokuar në zonat e thella të vendit

 Ministri i Mbrotjes, Pirro Vengu tha sot se ndërkohë që Shqipëria feston 80-vjetorin e Çlirimit,…

1 hour ago

80-vjetori i Çlirimit, autoritetet e larta të shtetit zhvillojnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

Autoritetet më të larta të vendit bënë sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, në përkujtim…

1 hour ago

Promovohet libri “Të rënët e Luftës II Botërore pa dallim kombësie, feje, krahine, ideje”

Qendra për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Shqiptare dhe UET Press…

1 hour ago

This website uses cookies.