Takimi i Ramës me diasporën, Vasili për RTSH 24: Fasadë! 800 mijë ikën prej keqqeverisjes
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, e ka quajtur një “fasadë” takimin e fundjavës të kryeministrit Edi Rama me shqiptarë që jetojnë në Greqi.
“Keqqeverisja është arsyeja pse 800 mijë veta janë larguar,” u shpreh z. Vasili për RTSH 24, duke akuzuar kryeqeveritarin se nuk po tregohet i sinqertë me diasporën.
“Këta nuk punojnë asnjëherë për punë apo rezultate me përmbajtje. Në vitin 2012 është ngritur nga Organizata botërore e Emigracionit program për rikthimin e shqiptarëve, dhe në atë kohë kur vendi ishte i rrethuar nga recensioni. Kanë ikur 800 mijë shqiptarë dhe remitancat dyfishohen. Emigrantët duhet t’i thonë qeverisë falemnderit që na përzure? Nuk ka një familje që nuk ka një person në emigracion. Kosova lajmëron që ka regjistruar 1 milion e 400 mijë e 348 veta, ndërsa ne nuk kemi një të dhënë sa shqiptarë janë regjistruar në cens. Ndërkohë ne presim të manipulohen rezultatet,” tha z. Vasili.
Më shumë se dy javë më parë Partia e Lirisë mbajti Konventën e saj kombëtare, duke vënë theksi te goditja e nepotizmit brenda radhëve.
Në rolin e sekretarit politik të partisë, z. Vasili tha se ndryshimet edhe në drejtimin e partisë “i kanë dhënë frymëmarrje” PL-së.
“Kemi një program politik të punuar nga një grup i madh ekspertësh. Elementi i parë është të shënjestrojmë instrumentet që mbajnë frenat e ekonomisë. Njerëzit që votojnë këtë program e dinë që do të kenë një bujqësi ndryshe, arsim ndryshe etj.“
Z. Vasili ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë në vitet 2009–2012 dhe nga pozita e ish-zyrtarit të lartë komentoi edhe projektligjin e shumëdebatuar “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, për sa i përket temave si surrogacia dhe aborti.
“Ligji i vitit 2002 ka pasur elementet e fekondimit të asistuar, jo surrogacisë. Surrogacia është ‘dhënie me qira’. Elementi i zgjatjes së kohës së abortit nga 12 në 14 javë, që për mua si mjek është absolutisht e papranueshme, elementi që vajzat 16-vjeçare nuk kanë nevojë të njofotjnë prindërit për ndërprerjen e një shtatzënie janë elementë thelbësore, këto bëjnë një ndarje të madhe në konceptimin e shëndetit riprodhues. Ndërkohë që Shqipëria ka një problem të madh shpopullimi dhe është ndër vendet më të plakura të Europës, qëllimi duhet të ishte tjetër.
Është një eksperiment i shënjestruar i qeverisë. Këto elemente shkojnë kundër familjes. Në Shqipëri kjo gjë është edhe më kritike kur dihet sa solidaritet familjar kemi si popull, dhe solidariteti ka qenë shpëtimi i këtij vendi, familja, jo partitë politike,” tha z. Vasili.