Takimi me Blinken, Begaj: E ardhmja e ndritur për Shqipërinë, partneritet për shumë se 100 vite të tjera
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti të enjten sekretarin amerikan të Shtetit, zotin Antoni J. Blinken (Antony), me të cilin bisedoi për rëndësinë e marrëdhënieve strategjike dypalëshe, për zhvillimet në rajon, solidaritetin me Ukrainën dhe angazhimi në krah të aleatëve në NATO-s.
Presidenti Begaj e cilësoi shumë të rëndësishme këtë vizitë dhe u shpreh se ajo është një demostrim “se partneriteti ynë strategjik është më i fortë se kurrë.”
“Kjo vizitë,” vijoi më tej Presidenti Begaj, “është një mesazh i fortë në mbështetje të shqiptarëve, politikës tonë të jashtme dhe të ardhmes së Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE.”
Kreu i shtetit i shrehu sekretarit Blinken mirënjohjen për atë që SHBA ka bërë e po bën për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.
“Jemi falënderues për atë që SHBA kanë bërë dhe Ju po bëni për demokracinë shqiptare, sundimin e ligjit, veçanërisht reformën në drejtësi, mbrojtjen, sigurinë dhe sigurinë kibernetike, arsimimin dhe ekonominë përmes programeve të ndryshme mbështetëse,” deklaroi presidenti gjatë bisedës me sekretarin e Shtetit.
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria dhe SHBA-ja kanë qenë së bashku në mbështetje të Ukrainës si aleatë në NATO duke kontribuar në misione në Afganistan dhe Irak.
“Shqipëria është e përkushtuar të vazhdojë të kontribuojë së bashku me SHBA dhe NATO për sigurinë rajonale dhe globale. Unë e shoh këtë vizitë si një të ardhme të ndritur për Shqipërinë, partneritetin tonë strategjik që do të zgjasë për shumë se 100 vite të tjera,” u shpreh Presidenti Begaj.