Takimi me ministrat e vendeve të NATO-s, Peleshi: Të vendosur të përmbushim detyrimet ndaj Aleancës

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në takimin dyditor të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, që u mbajt në Bruksel.
Në ditën e parë u zhvillua takimi i radhës i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrianës, i cili kishte në fokus vijimin e mbështetjes së Ukrainës në përpjekjet e saj për të përballuar agresionin rus.
Ndërsa gjatë ditës së dytë u diskutua në lidhje me situatën e sigurisë Euro-Atlantike, deterrencën dhe mbrojtjen si dhe përgatitjet për Samitin e ardhshëm të Uashingtonit, i cili përkon me 75 vjetorin e krijimit të Aleancës.
Gjatë fjalës së tij Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për përmbushjen e detyrimeve ndaj Aleancës. Një nga këto detyrime është dhe rritja e nivelit të shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të PBB dhe shpenzimeve minimalisht prej 20 % të këtij buxheti për modernizimin e Forcave të Aarmatosura me pajisjet kryesore ushtarake. Ministri Peleshi nënvizoi vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar kontributin ushtarak përmes pjesëmarrjes në misionet dhe operacionet e NATO-s.

Duke sjellë në vemendje situatën e brishtë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Ministri i Mbrojtjes theksoi se nuk duhen nënvlerësuar rreziqet e brendshme dhe të jashtme. “Është e rëndësishme që komuniteti Euro-Atlantik të flasë qartë dhe të tregojë vendosmërinë për përfshirjen e të gjithë rajonit në ombrellën e sigurisë Euro-Atlantike”, theksoi ministri Peleshi.

Gjatë ndërhyrjes së tij në këtë takim, Ministri i Mbrojtjes foli edhe për investimet infrastrukturore në Shqipëri, veçanërisht përgjatë korridorit të VIII si dhe Projektin e Porto Romanos. Sipas Peleshit, “këto investime përshtaten më së miri edhe me konceptin e “enamblemet” të NATO-s, aq të rëndësishëm në situatën e trazuar që po jetojmë. Këto projekte, krahas benefiteve kombëtare do të mbështesin më së miri forcat e përparuara të NATO-s, duke shkurtuar në mënyrë të konsiderueshme kohën e dislokimit”.
Gjatë ministerialit dyditor, ministri Peleshi zhvilloi disa takime me homogë të vende të rajonit dhe Evropës.