Takimi me Ramën, zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut: Bashkëpunimi ynë do të jetë i përhershëm
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti e ka përshkruar si “vëllazëror” takimin që zhvilloi me kryeministrin Edi Rama. Në një postim në Facebook, Mexhiti shkruan se mes tyre u diskutua për çështje të ndryshme, ndërsa theksi u vu te thellimi i bashkëpunimit mes dy qeverive.
Ai bën me dije si bëri ftesë kreut të qeverisë shqiptare për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Shkup, ndërsa shpreh bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve do të jetë i përhershëm.
“Takimi im me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, filloi si një takim zyrtar, por shpejt mori një drejtim tjetër, duke u shndërruar në një bisedë vëllazërore e të ngrohtë. Pritja e përzemërt e kryeministrit Rama, dhe humori i tij i veçantë, e shndërroi takimin formal në një bashkëbisedim mes miqsh. Në një atmosferë të relaksuar, me kryeministrin Rama ndërruam shumë tema, por gjithnjë të vetëdijshëm se vlerat tona të përbashkëta janë një sfond i pakapërcyeshëm.
Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit mes dy qeverive dhe vendeve tona, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve të forta që na bashkojnë si shqiptarë. Në këtë kontekst, Kryeministri Rama më uroi për suksesin në zgjedhje dhe për detyrën e re që kam marrë, duke theksuar se shqiptarët në Maqedoni janë garantuesi për integrimin e vendit tonë në familjen e madhe evropiane! Në shenjë të vullnetit të mirë për bashkëpunim, kryeministrin Rama e ftova për vizitë zyrtare në Shkup, kryeqendrën tjetër historike të shqiptarëve. E ardhmja jonë është e ndritshme, sepse bashkëpunimi ynë do të jetë i përhershëm”, shkruan Mexhiti.
Kryeministri Edi Rama priti të martën (27 gusht) në ambientet e kryeministrisë zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut.