Takimi me shqiptarët në Athinë, Rama për Kathimerini: Mitsotakis e kam mik që e respektoj, mos sajoni teori konspirative
Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si teori konspirative dhe propaganda deklaratat e opozitës greke dhe disa prej mediave në vendin fqinj se ai po vjen në Athinë për të “turbulluar ujërat” lidhur me çështjen Beleri si dhe t’u bëj thirrje shqiptarëve të mos votojnë qeverinë e Kyriakos Mitsotakis.
Në Athinë ku ndodhet sot (12 maj) për takimin e tij të parë me diasporën shqiptare, Rama tha për median greke Kathimerini se Mitsotakis e ka një mik të mirë që e respekton shumë dhe se është kryeministri që ka bashkëpunuar më shumë deri më sot lidhur me forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare.
Rama ka ironizuar edhe deklaratat se po ndikon në politikën e brendshme të Greqisë, duke thënë se “media greke është e mirë në sajimin e teorive konspirative dhe paraqitjen e tyre si prova”.
“Ajo që kam mësuar duke parë më nga afër lajmet në shtëpi është se ju jeni edhe më mirë se ne në sajimin e teorive konspirative, duke i kthyer thashethemet në fakte dhe më pas duke i përdorur ato si provë për shumë përfundime të pabaza. Kyriakos është kryeministri i Greqisë, është një mik që e respektoj shumë. Unë besoj se ai është kryeministri grek që, më shumë se çdo paraardhës i tij me të cilin kam punuar, është vërtet i interesuar për forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Gjithashtu, Greqia është një shtet i pavarur ku as që mund të mendoj të ndikoj në zgjedhje, gjë që e kuptoj megjithatë mund të jetë e vështirë për t’u besuar për disa politikanë grekë apo propagandistë mediatikë që ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë me lehtësinë e ushtrimit të një të drejte natyrore”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare pati edhe një mesazh për popullin grek, se urren nacionalizmin në Ballkan dhe se për shkak të saj “marrëdhëniet mes popujve shpesh nuk janë në nivelin e duhur”.
“Ndoshta do t’u drejtohem grekëve, ndaj të cilëve kam vetëm respekt dhe ndjenja pozitive. Arsyetimi im këmbëngulës është se pse politika e deritanishme ka dështuar në ngritjen e marrëdhënieve ndërshtetërore në nivelin e mirë që janë marrëdhëniet e dy popujve. Kjo është një arsye thelbësore ndër të tjera pse e urrej nacionalizmin ballkanik dhe pse i konsideroj nacionalistët ballkanikë sharlatanë të pastër”, u shpreh Rama.
Vizita e kryeministrit Edi Rama në Athinë u politizua duke ftohur edhe më shumë marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, pasi opozita greke u shpreh se “vizita e tij bëhet për të ndikuar në politikën e brendshme të Greqisë”.
Ftohja e marrëdhëniet greko-shqiptare nisi me arrestimin e Fredi Belerit, i cili fitoi zgjedhjet në Himarë nga burgu, por nuk u lejua të bënte betimin. Ai u dënua me dy vjet burg pasi u shpall fajtor për blerjen e një grushti votash. Për palën greke aktakuza është e montuar politikisht, ndërsa për qeverinë shqiptare, është çështje e drejtësisë dhe jo politikës.