Takimi me Trump, Macron: Paqja nuk duhet të nënkuptojë dorëzimin e Ukrainës

Presidenti francez, Emanuel Macron ka deklaruar se paqja “nuk duhet të nënkuptojë dorëzimin e Ukrainës” gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin e SHBA Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë. Të dy liderët zhvilluan një takim këtë të hënë (24 shkurt), në 3 vjetorin e luftës në Ukrainë.
Macron tha se ai dhe Trump patën diskutime të gjata rreth dëshirës së tyre për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, dhe për të pasur një armëpushim që është i matshëm, i verifikueshëm, dhe që mundëson negociatat e një paqeje të qëndrueshme.
Ai tha se paqja “nuk duhet të nënkuptojë një dorëzim të Ukrainës, apo armëpushim pa garanci“.
Edhe Trump deklaroi se qëllimi i takimit të sotëm ishte për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai tha se qindra mijëra rusë dhe ukrainas kanë vdekur “pa qenë nevoja”, dhe se një brez i tërë është zhdukur.
Ai tha se beson se Macron është dakord me të se “kjo është koha e duhur dhe mund të jetë e vetmja kohë” për t’i dhënë fund luftës.
Trump theksoi edhe njëherë se kostoja dhe barra e sigurimit të paqes duhet të paguhen nga vendet e Evropës, jo vetëm nga SHBA.
“Evropa duhet të marrë atë rol qendror në garantimin e sigurisë afatgjatë të Ukrainës, gjë që ata duan ta bëjnë,” tha ai.
Macron nga ana tjetër këmbënguli se Evropa nuk është larguar nga përgjegjësitë e saj për të ndihmuar Ukrainën.
“BE investoi 128 miliard $ në sigurinë ukrainase. Ne admirojmë shumë guximin e popullit ukrainas dhe besojmë se askush në këtë dhomë nuk dëshiron të jetojë në një botë ku vullneti i më të fuqishmëve thjesht mund të imponohet, dhe ku kufijtë e njohur ndërkombëtarisht mund të shkelen“, deklaroi Macron.