Takimi mes Ramës dhe Erdogan: Të forcojmë lidhjet dypalëshe në të gjitha fushat
Forcimi i lidhjeve dypalëshe, rritja e bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy vendeve dhe çështjet rajonale e globale kanë qenë në fokus të takimit kokë më kokë të zhvilluar me dyer të mbyllura mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.
Takimi u zhvillua në qendrën diplomatike turke në New York, Turkevi, ndërsa dy liderët ndodheshin në SHBA për sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Përpjekjet do të vazhdojnë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat”, është shprehur presidenti turk, ndërsa ka dënuar sulmet Izraelit në Gaza duke shtuar se këto “ masakra po dëmtojnë paqen rajonale dhe globale”.
“Shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar tani duhet të ndalen dhe se Izraeli do të detyrohet të ndalojë nëse të gjitha shtetet e botës veprojnë së bashku në një mënyrë të orientuar drejt paqes”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Komunikimeve Turke, raporton “Anadolu”.
Nga ana e qeverisë shqiptare nuk ka ende asnjë njoftim mbi diskutimet nga takimi, ndërsa më herët ishte vetë kryeministri Edi Rama që publikoi në rrjetet sociale disa foto nga takimi dypalësh me Erdogan në New York.
Më herët në Samitin për të Ardhmen në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria mbështet plotësisht paktin për të ardhmen dhe se kombet duhet të përballen me sfidat së bashku.